Shqipëria, aleate e ngushtë e NATO-s dhe partnere e ardhshme në BE
Pas Francës, edhe Greqia premton mbështetje, për realizimin e projektit evropian të Shqipërisë
TIRANE - Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, priti dje në një takim homologun e tij grek, Kostas Karamanlis dhe delegacionin që e shoqëronte. Kreu i qeverisë Berisha vlerësoi vizitën e kryeministrit Karamanlis, si shumë të rëndësishme dhe si një kontribut shumë të madh për marrëdhëniet tona miqësore.
Berisha evidentoi pas takimit në një konferencë shtypi, mbështetjen dhe përkrahjen e vendit fqinj dhe vendet e tjera mike, pa të cilat progresi i Shqipërisë drejt NATO-s dhe progresi i saj drejt integrimit evropian do të ishte i pamundur.
Kreu i qeverisë shqiptare vuri në dukje se “kryeministri Karamanlis dha sigurinë e tij dhe të qeverisë që drejton, se do të mbështesin ambiciet e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian, sikurse, unë e sigurova atë se, për mua dhe qeverinë time, ky proces duhet të jetë i mbështetur në performancën e vendit, sepse kjo është në interesin e qytetarëve të Shqipërisë”.
Kryeministri Berisha deklaroi se dy vendet tona po bashkëpunojnë plotësisht në të gjitha fushat dhe se investimet greke në vendin tonë, janë në rritje të vazhdueshme.
Gjithashtu, kryeministri theksoi se ka një bashkëpunim të ngushtë në sistemin e kujdesit shëndetësor, kulturor, arsim dhe çdo fushë tjetër.
“Gjithashtu, kemi bashkëpunim i rëndësishëm edhe në fushën e energjisë. Ne po punojmë në dy projekte të përbashkëta për energjinë”, shtoi Berisha.
Berisha tha se kjo vizitë shënon një kontribut shumë të rëndësishëm në lidhjet dhe marrëdhëniet tona miqësore.
Ndërkaq, nga ana tjetër, kryeministri grek Kostas Karamanlis, deklaroi se kjo vizitë bëhet në një kohë shumë të rëndësishme, pasi Shqipëria është bërë anëtare e familjes së NATO-s vetëm disa javë më parë. “Dua të uroj kryeministrin Berisha, qeverinë shqiptare dhe popullin mik shqiptar, për këtë hap historik përpara, një hap i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por në të njëjtën kohë për paqen, stabilitetin dhe marrëdhëniet e mira mes fqinjësh në rajonin e Ballkanit. Greqia mbetet një fqinj i mirë dhe mik i besueshëm, një aleat brenda familjes së NATO-s dhe një mbështetës i kursit të Shqipërisë drejt institucioneve evropiane. Ne mbështesim dhe inkurajojmë perspektivën evropiane të Shqipërisë, si dhe të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Karamanlis.
Ai evidentoi se Greqia ishte një ndër anëtarët e parë të Bashkimit Evropian që e mbështet Shqipërinë në liberalizmin e vizave.
Karamanlis shtoi se me kryeministrin Berisha është diskutuar gjithashtu për angazhimin e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian, aplikimin e kritereve dhe kushteve sipas standardeve evropiane, vlerave evropiane, që do të lehtësojë afrimin drejt familjes evropiane. Ai vlerësoi se zgjedhjet sipas standardeve evropiane, aplikimi i ligjit, lufta ndaj korrupsionit, respekti i plotë i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve janë hapa shumë të rëndësishëm ne atë drejtim.
Për sa i përket bashkëpunimit dy palësh kreu i qeverisë greke tha se për këtë marrëdhënie tepër konstruktive janë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme.
Kryeministri Karamanlis vlerëson maksimalisht kontributin e emigrantëve shqiptarë në shtetin fqinj, të cilët njëkohësisht kontribuojnë si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri.
Nga ana tjetër, Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis, inkurajon investitorët grekë që të vijnë të investojnë në Shqipëri, duke kërkuar nga qeveria shqiptare që të krijojë l
Greqi-Shqipëri
Bashkëpunim për pensionet dhe sigurimet e emigrantëve shqiptarë në Greqi
TIRANE - Në vlerësimin e tij për bashkëpunimin e gjithanshëm me Greqinë, kryeministri Berisha ka veçuar vullnetin, për siguracionet dhe pensionet e emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe minoriteteve greke në Shqipëri.
“Ne ramë dakord që të bashkëpunojmë së bashku midis të dyja ministrive përkatëse, për të marrë në konsideratë çështjen e pensioneve dhe siguracioneve të shqiptarëve që punojnë në Greqi dhe anasjelltas”, tha Kryeministri.
Temë e diskutimeve ishte edhe minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi.
“Jemi tepë të kënaqur për progresin në të gjitha aspektet. E sigurova kryeministrin grek për mbështetjen që qeveria ime do t’i japë minoritetit grek në Shqipëri për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të tyre në Shqipëri. Gjithashtu falënderoj qeverinë greke për investimet që kanë bërë në zonat e minoriteteve greke dhe në zona të tjera në Shqipëri”, tha Kryeministri Berisha.
Konfirmon kryeministri grek Karamanlis
Greqia, mbështetëse për heqjen e menjëhershme të vizave Shqipëri-BE
TIRANE - Greqia do të mbështesë në mënyrë të palëkundur procesin e liberalizimit të vizave mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Karamanlis ka theksuar se Greqia është një ndër të parat vende që ka shprehur angazhimin e saj serioz në dhënien e ndihmës për heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe BE vite më parë.
“Ne jemi ndër vendet e para të BE dhe jemi të parët që shikon pozitivisht heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe BE. Sikurse është theksuar edhe në axhendën e Selanikut në vitin 2003, ne i plotësojmë të gjitha angazhimet për të gjithë mbështetjen. Ne kemi ndjekur nga afër përmbushjen e kushteve të Shqipërisë”, është shprehur Karamanlis.
Shqipëria dhe Greqia nënshkruajnë marrëveshje për ujërat detare
TIRANE - Shqipëria dhe Greqia nënshkruan dje marrëveshjen për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të Shelfit Kontinental dhe të zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare.
Marrëveshja mes dy vendeve u nënshkrua në selinë e kryeministrisë, nga Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha dhe Ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakoyanis, në prani të kryeministrit Sali Berisha dhe kryeministrit grek, Kostas Karamanlis, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë miratoi 5 ditë më parë, marrëveshjen me shtetin fqinj, e cila konsiston në përcaktimin e Shelfit Kontinental dhe të hapësirave të tjera detare mes dy vendeve.
Baza ligjore për nënshkrimin e kësaj marrëveshje, e cila i shërben forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është Kushtetuta e Shqipërisë dhe ligji “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”.