E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria vendos, në 1 maj 2009 dyfishohen pagat dhe pensionet krahasuar me 4 vjet më parë

Qeveria miraton paketën e vendimeve për rritjen e pagave dhe pensioneve të rreth 800 mijë familjeve shqiptare, nga data 1 maj 2009

TIRANE - Qeveria miratoi dje vendimin për rritjen e pagave dhe pensioneve, i cili hyn në fuqi më datën 1 maj. Duke e cilësuar këtë vendim si një nga premtimet më solemne e më të rëndësishme të dhëna në vitin 2005, kryeministri Berisha tha se ai ka gjetur realizimin e tij falë angazhimit serioz të qeverisë.   
“Për shkak të një largimi rreth tre ditor jashtë vendit pasi nesër nisem për në Çeki për të paraqitur zyrtarisht kërkesën për statusin e kandidatit dhe nga Praga në darkë nisem për në Varshavë për të marrë pjesë në kongresin e Partisë Popullore Evropiane ku do të marrin pjesë të gjithë liderët e forcave politike të qendrës së djathtë të Bashkimit Evropian të vendeve në proces të Stabilizim Asocimit u detyruar të thërrasë mbledhjen për një nga problemet më të rëndësishme që ka të bëjë me rrogat dhe pensionet e qytetarëve shqiptarë. Në përputhje me zotimin tonë që rritja e rrogave dhe pensioneve duhet të fillojë që nga data 1 maj e tutje vendimi duhet të miratohet që të hyjë në fuqi dhe që nga 1 maji e tutje të nisë rritja e rrogave, pensioneve në përputhje me premtimet e dhëna nga qeveria shqiptare dhe koalicioni i mazhorancës aktuale në pranverën e vitit 2005” u shpreh Kryeministri.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë e cilësoi vendimin si një nga arritjet më të suksesshme të kësaj mazhorance në përputhje me programin e saj qeverisës.
“Për të gjithë ne së bashku është një nga arritjet më të mëdha të karrierës sonë politike pasi ne akoma në përputhje me premtimin dhe programin të vendosim sot për dyfishimin e rrogave dhe pensioneve të 44 mijë punonjësve të arsimit krahasuar kjo me katër vite më parë”, vlerësoi kreu i ekzekutivit shqiptar.
Kështu, kreu i qeverisë theksoi se me rritjen aktuale pagat e punonjësve të arsimit, pagat e punonjësve të sektorit të shëndetësisë, mjekëve dhe infermierëve, pagat për të gjithë punonjësit buxhetore do të dyfishohen. Gjithashtu kryeministri theksoi se për rreth 104 mijë punonjës buxhetorë, paga mesatare nga 273 mijë lekë që ishte pas pranverës së vitit 2005, sot kjo pagë kalon në 459 mijë lekë në muaj ose 68 % më e lartë se sa ishte. Kryeministri vlerësoi se duke arritur një pagë të tillë mesatare Shqipëria kalon qartësisht mbi 30 % pagën mesatare të dy vendeve anëtare të BE dhe barazohet me tre vende të tjera, natyrisht ish vende komuniste pasi vendet perëndimore i kanë më të larta. Gjithashtu kryeministri vuri në dukje se këtë radhë në dallim nga radhët e tjera nuk rriten pagat e zyrtarëve të lartë duke theksuar se këtë vit pagat e zyrtarëve të lartë do të mbeten ato që janë.
Në vijim kreu i ekzekutivit shqiptar theksoi se mësuesit e arsimit parauniversitar nga një pagë prej 230 mijë lekë kalojnë në një pagë prej rreth 46 mijë lekë, ndërsa punonjësit e infermierisë, nga një pagë prej 150 mijë lekë kalojnë në një pagë prej 310 mijë lekë.
Në këtë kuadër kryeministri vlerësoi se kjo rritje është 100 % më e lartë se sa në vitin 2005.
Më tej kreu i qeverisë nënvizoi se paga mesatare për punonjësit e mjekësisë rritet nga 226 mijë lekë në 470 mijë lekë në muaj, që do të thotë rreth 108 % më e lartë. Kryeministri sqaroi se paga minimale shkon në dyfishimin e saj në administratë publike.

Rritja e pagave dhe pensioneve,
sipas kategorive dhe konkretisht:

 - Paga në sektorin e shëndetësisë, mjekë dhe infermiere, dyfishohet.
 - Paga mesatare për rreth 104 mijë punonjës buxhetorë, nga 273 mijë lekë që ishte në pranverën e vitit 2005, kalon në 459 mijë lekë në muaj, ose 68 për qind më e lartë. Pagat e zyrtarëve të lartë nuk rriten, por mbeten ato që janë. Duke arritur një pagë të tillë mesatare, - u shpreh Kryeministri - ne kalojmë qartësisht me mbi 30 për qind pagën mesatare të dy vendeve anëtare të BE-së dhe barazohemi me tre vendeve të tjera, natyrisht bëhet fjalë për vende ish komuniste.
- Paga e mësuesve të arsimit parauniversitar nga një pagë prej rreth 230 mijë lekë kalon në rreth 460 mijë lekë, pra, 100 për qind më e lartë se në vitin 2005.
- Paga e punonjësve të infermierisë nga një pagë prej 150 mijë lekë kalon në 310 mijë lekë, pra, 100 për qind më e lartë se në vitin 2005. Paga mesatare për mjekët rritet nga 226 mijë lekë në 470 mijë lekë në muaj, ose 108 për qind.
- Paga minimale në administratën publike shkon në dyfishim.
- Të ardhurat pensionale, duke mos llogaritur këtu 50 mijë lekëshin në fund vitit, rriten nga 49 për qind,sipas llojit të pensioneve, në 135 për qind. Kjo përbën rritjen më të madhe e të pakrahasueshme se çdo kohë dhe vend tjetër.
- Të ardhurat pensionale minimale në qytet rriten nga 83500 mijë lekë në 12400 mijë lekë, rriten me rreth 49 për qind. 
- Të ardhurat pensioneve minimale në fshat rriten në masën 100 për qind. Pensionet maksimale në fshat rriten në masën 70 për qind.
 - Të ardhurat pensionale maksimale në qytet rriten në masën 30 për qind.
- Pensionet e pleqërisë në qytet kapin një rritje prej 42 për qind.
- Pensionet e invaliditet rriten me 54 për qind.
- Pensionet mesatare familjare në qytet janë rritur me 54 për qind.
- Pensionet mesatare të pleqërisë në fshat janë rritur me rreth 80 për qind.
- Pensionet mesatare të invaliditetit në fshat janë rritur me 107 për qind.
- Pensionet mesatare familjare në fshat janë rritur me 127.4 për qind.
- Të ardhurat pensionale mesatare të pleqërisë në qytet rriten me 51 për qind.
- Të ardhurat pensionale mesatare të invalidtitetit në qytet rriten me 59 për qind.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›