Rrugët rurale, prioritet i PD-së në mandatin e dytë qeverisës
Ministri Basha takohet me banorë të rrethit të Gramshit
TIRANE - Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, në takimin e zhvilluar me banorë të fshatit Lubinjë, në rrethin e Gramshit, garantoi ata se sistemimi dhe asfaltimi i të gjitha rrugëve rurale të vendit, do të jetë prioritet i Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj në mandatin e dytë qeverisës. Në cilësinë edhe të kryetarit të shtabit të fushatës elektorale të Partisë Demokratike për Qarkun e Elbasanit, ministri Basha tha për banorët e kësaj zone të thellë malore, se pasi u arrit të ndërtohej dhe rikonstruktohej infrastruktura kombëtare, duke nisur me rrugën Durrës-Kukës, Lushnje-Fier, Fier-Vlorë, Levan-Tepelenë, Tepelenë-Gjirokastër, si dhe mjaft rrugë të tjera, qytetarët do të nxirren nga balta, pavarësisht se ku jetojnë, si kundër, do të vazhdohet rritja e pensioneve dhe pagave të tyre.
“Të gjitha paratë që qeveria shqiptare do të grumbullojë do të drejtohen fillimisht dhe kryesisht në ndërtimin e infrastrukturës rurale, duke filluar me ndërtimin e akseve kryesore që lidhin komunat me qendrat e tyre, me qytetet dhe akset kombëtare dhe duke përfunduar me lidhjen e çdo fshati me qendrën e komunës me rrugë të asfaltuar”, deklaroi ministri Basha.
Duke u ndalur tek reformat e qeverisë përgjatë këtij mandate 4-vjeçar, Basha kujtoi se “Në këtë mandat ne ia dolëm duke luftuar krimin dhe korrupsionin, i cili ishte kthyer në sistem, të dyfishojmë pensionet e fshatit, pagat e arsimtarëve, infermierëve e mjekëve dhe kjo do të jetë lehtësisht e vërtetueshme kur ata, më 1 maj, do të tërheqin pagat dhe pensionet”.
Basha nënvizoi se “Reformat e ndërmarra nga kjo qeveri, janë vlerësuar nga të gjithë personalitet e larta botërore, që nga presidenti i SHBA-ve, kancelarja gjermane, kryeministri italian e deri tek presidenti francez”.
Rezultatet pozitive të këtyre reformave, tha Basha “bënë të mundur anëtarësimin në NATO, aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat ne Bashkimin Evropian dhe, brenda vitit të parë të mandatit të dytë të kësaj mazhorance, do të bëjë të mundur heqjen e vizave në hapësirën Shengen”.
Gjatë fjalës së tij ministri Basha sulmoi dhe bashkinë e Tiranës, ku sipas tij “i vetmi vend ku vazhdohet të abuzohet me pushtetin dhe të përdoret për interesa të ngushta personale, është bashkia e Tiranës”, duke kujtuar këtu rastin e 19-të lejeve të ndërtimit që Rama dha për miqtë e tij të ngushtë.
Duke bërë një krahasim mes modelit qeverisës dhe atij opozitar, Basha tha se “Shqiptarët kanë sot dy modele, atë të ndryshimit të ofruar nga Sali Berisha dhe modelin e abuzimit të ofruar nga Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij, që për 8 vjet e mbajtën peng integrimin e vendit”, duke lënë kështu të nënkuptuar diferencën e madhe mes këtyre dy modeleve.