E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria barazim i bardhë 0-0 me Estoninë

Autori i Lajmit: Redaksia

Talin - Kombëtarja shqiptare ka barazuar 0-0 ne ndeshjen miqësore të luajtur kundër Estonisë. Mes dëborës dhe të ftohtit baltik, kuqezinjtë kanë zhvilluar një lojë mjaft të mirë në fushën e stadiumit “A. Le Kok”, ku janë vrejtur raste të shumta në portën e vendasve. Takimi ka qenë pothuajse i barabartë për të dyja skuadrat, të cilat kane qenë në kërkim të golit gjatë gjithë kohës. Në një temperaturë jo fort optimale për kuqezinjtë tanë, 2 gradë celcius, ka startuar ndeshja e parë miqësore e Shqipërisë, në kuadrin e përgatitjeve për eliminatoret e Euro 2012. Trajneri Josip Kuzhe, i votëbesuar në krye të kuqezinjve, pasi i drejtoi këta të fundit edhe në disa ndeshje kualifikuese të Botërorit 2010, ka nisur atë rrugën e gjatë dhe të vështirë, siç e perifrazoi edhe vetë para Estonisë. Miqësorja në fjalë ka “vulën” e tij, ashtu sikurse do të ketë çdo veprim tjetër në kombëtaren e Shqipërisë në vazhdim. Thënë ndryshe, nuk ka më justifikime të tipit “nuk i njoh sa duhet lojtarët”, “bëra eksperimente” etj, etj. Përfaqësimi i çdo ekipi kombëtar, jo vetëm në ndeshje zyrtare, por edhe miqësore, ka si objektiv primar rezultatin pozitiv. Sepse ky mbahet mend, futet në të ashtuquajturat “statistika historike”. Veç kësaj, Kuzhe, deri në ndeshjen e parë zyrtare, për llogari të eliminatoreve të Europianit 2012, do të provojë lojtarë në pozicione të ndryshme, apo edhe lojtarë të ndryshëm, për të formuar një grup solid. Dhe në fakt, pjesa e parë e miqësores së Talinit ka folur kryesisht për lojtarët tanë, të cilët jo vetëm kanë pasur kontrollin e topit, në pjesën më të madhe të kohës, por kanë qarkulluar me dhe pa top, në të gjithë kuadratin e blertë, duke demonstruar edhe freski fizike. Gjithashtu, nuk kanë munguar as rastet për gol, teksa ai i Hykës, që gjuajti fluturimithi, mbi vijën e 16-metërshit të portierit estonez, ishte më evidenti. Lojtarët kuqezinj merren vesh mirë me njëri-tjetrin, e qarkullojnë topin me një takim dhe gjenden në mbështetje të Salihit, sulmuesit të vetëm, me tri katër forca. Kështu, Bakaj, Hyka, G.Lika dhe Skela përbëjnë rrezik të përhershëm për mbrojtjen dhe portierin vendas. Megjithatë, pjesa e parë mbyllet me rezultatin e bardhë, 0-0, me dëshirë dhe këmbëngulje të madhe të Shqipërisë, por pa gjetur dot rrugën e rrjetës. Nga ana e saj, Estonia e vuajti jo pak presingun e kuqezinjve, që niste që në mesfushë, duke mos dalë në lojë të rrezikshme për kombëtaren tonë. Edhe pjesa e dytë ka të njejtën muzikë si e para. Gjithcka në fushë ka komandën e kuqezinjve, që qarkullojnë dendur topin, por pa arritur dot të konkludojnë. Estonia duket e përgjumur, pa ndonjë nivel për tu evidentuar, çka duket se ndikon edhe në ritmin e lojës së kombëtares shqiptare. Vendasit vazhdojnë ti besojnë kundërsulmit, por mbrojtja kuqezi në këtë ndeshje nuk shfaq ato gabimet e sfidave të kaluara. Sidoqoftë, në minutën e 84-t, përmes një goditjeje dënimi, Estonia i ka shkuar fare pranë golit. Vetëm shtylla e majtë pingule e portës së Hidit e mban të bardhë rezultatin, si në fillim, 0-0. Pak minuta ka rezervuar trajneri Kuzhe edhe për mesfushorin bardheblu, Jetmir Sefa, i cili futet në lojë në minutën e 86-të në vend të Hykës. Përfundimisht, një barazim, që ka vlerat e moshumbjes në transfertë, ku Shqipëria çalon gjithmonë, disa lojtarë të rinj të provuar, ndër të cilët, Bakaj me sukses, por edhe fillimi i një pune të madhe që i pret kuqezinjtë, në përpjekje për tiu larguar vendit të parafundit në grupet eliminatore. Estonia nuk paraqiti ndonjë gjë të veçantë në ndeshjen e djeshme, çka tregon se kjo miqësore duhet marrë me rezerva nga drejtuesit kuqezinj, pasi nuk përbënte kurrsesi një test të vërtetë, nga ato që do të kemi në grupin tonë eliminator të Euro 2012.

Radiografia

1′ - Topin e parë nga qendra e luajnë vendasit.

3′- Kundërsulm i tanëve, me protagonist Bakajn, që shkon deri në 16-shen e estonezëve. Aty pason një top për Salihin, i cili, brenda zonës vendase, gjuan tokazi, por pret portieri Pareiko.

6′- Estonezët ndërmarrin një sulm në ballë të gjerë, drejt Hidit, por tek vija e 16-metrave ndërhyn me vendosmëri Curri, duke larguar rrezikun.

10′- Gilman Lika zbulohet bukur nga mbrojtësit vendas, godet fort, por topi devijohet në këndore. Ekzekuton nga këndi Skela, topi nuk zotërohet si duhet nga piortieri vendas, por kuqezinjtë nuk përfitojnë dot.

16′- Krosim i estonezëve nga e majta e sulmit të tyre, del në mënyrë të gabuar portieri Hidi, por largon rrezikun Cana me kokë, duke e devijuar topin në këndore.

20′- Këmbëngulje e gjatë e kuqezinjve, me sulme të njëpasnjëshme drejt zonës vendase, por mbrojtja estoneze, me portierin Pareinko, janë në lartësinë e duhur.

24′- Kundërsulm i bukur i Shqipërisë. Hyka kroson bukur për te Salihi, i cili ul me kokë për Bakajn. Ky i fundit realizon një roveshiatë, afër zonës së 16 metrave, por topi nuk ka shënjestrën e duhur.

25′- Rasti më i bukur për tanët. Bakaj shërben bukur për Likën, i cili zbulohet mirë, por gjuajtja e tij është për tu harruar.

30′- Hykës i kthehet një top në formë asisti nga mbrojtja estoneze, pas një këndoreje për Shqipërinë. Gjuan fluturimthi shtatshkurtëri kuqezi, por mbi traun e Pareinkos.

40′- Duro provon me një gjuajtje nga larg, por topi devijohet në këndore nga një mbrojtës vendas.

44′- Limpere, sulmuesi estonez, lëshon një predhë drejt portës sonë, por pret në pozicion Hidi.

49′- Skela fut një asist për Hykën, i cili kroson për tek Curri, që godet me kokë, por në mënyrë të pafuqishme, pret portieri vendas.

51′- Kapiteni estonez, Pirroja, shënon me kokë, pas një goditjeje dënimi për vendasit. Hidi del në mënyrë në gabuar, por është gjyqtari, që anulon gjithçka, duke e konsideruar faull ndaj Hidit ngritjen në ajër të lojtarit estonez.

58′- Pirroja, me devijimin e topit në këndore, para se ta shtynte në rrjetë Bakaj, shëpton portën e tij nga një gol i sigurtë.

61′- Hyka godet fuqishëm, por topi pritet te shtylla e djathtë pingule nga portieri estonez.

65′- Tjetër gafë e Hidit, në dalje. Fat i mirë që spastron zonën Cana, pasi për portierin tonë kuqezi do të ishte gol i sigurtë.

75′- Kuzhe vendos të bëjë zëvendësimet e para, duke nxjerrë Bakajn, G.Likën dhe Salihin, për të futur Muzakën, Vilën dhe Kapllanin.

80′- Vaslevy lëshon një predhë drejt portës së Hidit, por pa shënjestrën e duhur.

84′- Përmes një goditjeje dënimi, Estonia i ka shkuar fare pranë golit. Vetëm shtylla e majtrë pingule e portës së Hidit e mban të bardhë rezultatin, si në fillim, 0-0.

Skeda e ndeshjes

Stadiumi “A.Le Coq Arena”, Talin

ESTONI-SHQIPËRI 0-0

Kartonë të verdhë: Pirroja, Skela

ESTONIA: Sergei Pareiko, Tihhon Šišov (Enar Jääger 46), Taavi Rähn (Ragnar Klavan 46), Raio Piiroja, Dimitri Kruglov, Ats Purje (Alo Bärengrub 88), Aleksandr Dmitrijev, Konstantin Vassiljev, Joel Lindpere, Kaimar Saag (Vladimir Voskoboinikov 60), Kristen Viikmäe (Andrei Sidorenkov 46).

SHQIPERIA: Isli Hidi, Armend Dallku (Andi Lila 91), Lorik Cana, Debatik Curri, Ansi Agolli, Klodian Duro, Ervin Skela, Jahmir Hyka, Elis Bakaj (Emiljan Vila 71), Gilman Lika (Muzaka Gjergji 75), Hamdi Salihi (Edmond Kapllani 75).

Gjyqtarë: Audrius Kancleris, Arunas Seskus, Jurijus Lukjanciukas (Lituani)

Karton i kuq: Pirroja
Ky lajm është publikuar: 15/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›