E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave, 76 të prekur në Shqipëri

Autori i Lajmit: Redaksia
Gati 76 persona janë identifikuar nga specialistët si persona që janë prekur nga virusi AH1N1, por 11 mijë të tjerë janë prekur nga gripi stinor i cili ka dhënë prova se është po aq agresiv se edhe gripi i derrit. Përballë kësaj situate të gjitha poliklinikat e mëdha të vendit që nga fillimi i javës së ardhshme pritet të pajisen me medikamentin Tamiflu. Drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero tha se kjo është një nga format për të përballuar sa më mirë situatën dhe do të diskutohet në Ministri ditën e nesërme. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë për një rritje të ndjeshme të numrit të personave që po preken nga gripi stinor, por edhe nga virusi A/H1N1. Pipero sqaron se në bazë të gjendjes klinike që paraqet pacienti, mjekët do të vendosin për trajtimin me medikamentin Tamiflu, edhe pa pritur përgjigjen e analizave. Kjo masë do të merret pasi Tamiflu është një ilaç që vepron për të dy viruset, që po qarkullojnë në vend. Sipas specialistëve infeksionistë, numri më i madh i rasteve të infeksioneve respiratore vërehet në moshat fëmijërore. Krahasuar me një vit më parë kemi një numër më të lartë të infeksioneve respiratore. Javën e shkuar janë regjistruar 11 mijë persona të prekur nga gripi, por sipas të dhënave të ISHP-së këtë javë ka një rritje të ndjeshme të numrit të personave të prekur nga infeksionet respiratore. Gjatë ditëve të fundit në disa shkolla në Tiranë, por edhe në Mat ku është konstatuar qarkullimi i AH1N1, forma e gripit të derrit që qarkullon në vend deri më tani ka qenë e lehtë dhe mesatare. Specialistët e Institutit të Shëndetit publik rekomandojnë vaksinimin e popullatës me vaksinën kundër gripit dhe ruajtjen e lartë të higjienës në vende ku ka grumbullime. Çerdhet, kopshtet, shkollat dhe institucionet publike dhe private duhet të tregojnë kujdes për ruajtjen e lartë të higjienës.

Kosovë, regjistrohet viktima e parë e gripit A

Një pacient i infektuar me virusin e gripit të derrit vdiq në klinikën infektive në Prishtinë. Sipas burimeve nga kjo klinikë, pacienti i moshës 31 vjeç i lindur në Drenicë, vuante nga një pneumoni kronike. Mësohet se pacientit i ishin shfaqur simptomat e virusit H1N1 më 25 tetor. Por sipas mjekëve, ai u paraqit shumë vonë në spital, pas datës 8 nëntor dhe si rrjedhim ishte shumë vonë për ti shpëtuar rrezikut. I riu 31-vjeçar kishte ardhur nga Sllovenia ku duket se edhe ishte infektuar me gripin e derrit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në Kosovë me këtë virus janë gjithsej 32 persona të infektuar. Pas vdekjes së parë, Ministria Kosovare e Shëndetësisë i këshilloi të gjithë qytetarët që të paraqiten te mjeku me të ndjerë simptomat e para të gripit.

Ky lajm është publikuar: 15/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›