E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e politikës raportojnë tek ODIHR

Gerald Michell, shef i zyrës së zgjedhjeve të ODIHR-it, kryesoi dje delegacionin e mbërritur në Tiranë, në kuadër të Misionit Përgatitor për Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit. Raportuesit po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Shqipëri, me qëllim që të njihen me procesin e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjatë takimit që pati me delegacionin, Kryeministri Sali Berisha shprehu kënaqësinë e tij për vizitën e Misionit dhe siguroi delegacionin për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare ndaj procesit zgjedhor. Berisha vlerësoi se zgjedhjet e 28 qershorit 2009 janë shumë të rëndësishme në lidhje me arritjen plotësisht të standardeve ndërkombëtare për zgjedhje demokratike dhe do të bëhet çdo përpjekje në këtë drejtim. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha ftoi përfaqësuesit e ODIHR-it që të dërgojnë një mision vëzhgimi sa më të madh dhe siguroi se ftesa zyrtare për vëzhgim të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR do të prezantohet brenda javës së ardhshme. Shefi i Misionit të Vlerësimit të Nevojave, z. Gerald Mitchel, falënderoi për mbështetjen e marrë për këtë mision dhe për rolin e ODIHR-it në përgjithësi në procesin zgjedhor. Sakaq, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të përgatitjeve të infrastrukturës zgjedhore, duke u ndalur në pajisjen për herë të parë të shtetasve me letërnjoftime elektronike, modernizimin e shërbimit të gjendjes civile dhe sistemit të adresave. Sakaq, pas takimit me delegacionin në selinë e Partisë Socialiste, kreu i opozitës, Edi Rama, tha se "e shohim me një shqetësim në rritje procesin e pajisjes së qytetarëve e qytetareve me karta identiteti". Sipas tij, të gjitha të dhënat janë shkurajuese dhe po bëhen dëshpëruese dhe për fat të keq qeveria vazhdon të tregojë paaftësi dhe mbi të gjitha papërgjegjshmëri për këtë proces, ku ka mbetur shumë pak kohë, ndërkohë që janë miliona ata që sot e gjithë ditën nuk e kanë kartën e identitetit dhe as nuk kanë aplikuar për këtë. "Por ajo që është më shqetësuese, është kontingjenti i qytetarëve dhe qytetareve që nuk kanë as pasaportë dhe që përbëjnë në pjesën dërrmuese shtresën më të varfër të popullsisë, që e ka të pamundur të përballojë koston e kartës së identitetit dhe që ndërkohë sot e gjithë ditën është tërësisht jashtë procesit", këmbënguli Rama. Në qoftë se ata qindra mijëra qytetarë e qytetare që nuk kanë pasaportë, nesër nuk do të kenë as kartën e identitetit, tha Rama, këto nuk mund të quhen më zgjedhje të lira e të ndershme që zhvillohen në Evropë. Në bisedën tjetër me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, ky i fundit theksoi edhe një herë përkushtimin e plotë të qeverisë shqiptare për zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente. Basha, përsëriti në emër të qeverisë shqiptare ftesën që ODIHR të dërgojë misionin më të madh vëzhgues që ka monitoruar ndonjëherë zgjedhjet në Shqipëri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›