E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe India, interes të përbashkët për një bashkëpunim më të fortë ekonomik

03-08-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli takon Ambasadorin e Indisë, Debashish Chakravarti


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në takim Ambasadorin e Indisë që mbulon marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, Debashish Chakravarti, në përfundim të mandatit të tij. Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, Topalli shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet mes dy vendeve po bëhen gjithnjë e më të afërta, duke falënderuar ambasadorin për kontributin e tij në këtë përafrim. Kryetarja Jozefina Topalli, duke kujtuar vizitën e saj në Indi, tha se ajo ishte shumë e rëndësishme për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar. Për Kryetaren e Kuvendit, forcimi i bashkëpunimit me vende të mëdha e faktor në politikën dhe ekonominë botërore si India, është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. “Vendet tona kanë një lidhje shumë të veçantë, tha Kryetarja e Kuvendit. Nënë Tereza është një pasuri e jashtëzakonshme e përbashkët, për të cilën jemi shumë krenarë.” Ambasadori i Indisë tha se, vendi i tij ka interes të veçantë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Shqipërinë. “Biznesmenët indianë duhet të vijnë e të eksplorojnë Shqipërinë, një vend me burime të mëdha për investime dhe për këtë unë personalisht, por edhe ambasadori i ardhshëm do të angazhohemi plotësisht”, tha ai. Kryetarja e Kuvendit tha se, pret me shumë kënaqësi një vizitë të afërt të Kryetares së parlamentit të Indisë Meira Kumar, vizitë që pritet të realizohet brenda këtij viti.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›