E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zgjedhjet treguan se në Shqipëri sistemi dhe demokracia funksionoi”

03-08-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli takon Zëvendëspresidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grosruk


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti dje në takim Zëvendëspresidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grosruk. Pasi e uroi zotin Grosruk për rizgjedhjen e tij në këtë detyrë, Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë për nivelin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe OSBE-së, si dhe për vizitën që pritet të një delegacioni nga parlamenti austriak. Grosruk tha se kjo vizitë, që pritet të realizohet në shtator, është një tregues i rëndësishëm i marrëdhënieve të forta mes dy parlamenteve. Kryetarja e Kuvendit tha se, do të ishte një kënaqësi për të dhe për Kuvendin e Shqipërisë vizita e një delegacioni kaq të madh nga parlamenti i Austrisë, vizitë që do të shërbejë në forcimin edhe më tej të bashkëpunimit, jo vetëm parlamentar por edhe mes dy vendeve. Duke u ndalur edhe në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit tha se, këto ishin zgjedhjet më të arrira, ku u realizua një nga standardet më të larta të numërimit të çdo vote. “Zgjedhjet treguan se në Shqipëri sistemi dhe demokracia funksionoi dhe vullneti i qytetarëve u lexua”. Biseda më tej u ndal në vijimin e bashkëpunimit parlamentar mes Shqipërisë dhe Austrisë, por edhe me Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›