“LSI-ja nuk mund të shërbejë si trampolinë për të çuar Edi Ramën në zyrën e kryeministrit”

Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama përjashton çfarëdo mundësi bashkëpunimi me PS-në, sa kohë kjo e fundit do të jetë nën diktatin e Edvinit
“Kur ne kemi patur një koalicion me bazë edhe morale edhe me bazë respekti të ndërsjellë kjo ka funksionuar siç është rasti i zgjedhjeve vendore të 2007-ës. Partia socialiste asnjëherë nuk u ka mbyllur derën lidhur me këtë bashkëpunim dhe zgjedhjet e fundit lokale në një farë mënyre edhe e treguan këtë”.
Kështu është shprehur para pak ditësh Arta Dade, sekretare e marrëdhënieve ndërkombëtare në Partinë Socialiste.
Pak ditë pas këtyre deklaratave të mbërritura nga selia rozë Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar përmes sekretarit të përgjithshëm, Luan Ramës, duke i cilësuar ato si falsitet dhe hipokrizi nga ana e socialistit Edi Rama.
Në një intervistë, Luan Rama thotë se demagogjia e radhës së kryetarit të PS-së, vjen pas një sërë refuzimesh nga ana e këtij të fundit për të bashkëpunuar me LSI-në jo vetëm në zgjedhjet e 2009-ës por edhe pas humbjes së bashkisë së Tiranës në 2011-ën. Një pretekst ky sipas sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, pas së cilit Edi Rama kërkon të justifikojë humbjet në bazën socialiste për zgjedhjet e 8 majit.
“Pas humbjes së Edi Ramës në zgjedhjet e 8 majit ka një presion të shtuar të opinionit socialist të cilët janë të interesuar të bëjnë një analizë të shkaqeve që çuan te humbja e tij duke e fokusuar të gjithë petkun e goditjes së tyre te përgjegjësia direkte e Edi Ramës në këtë humbje. Në bazën socialiste është artikuluar mendimi se përgjegjësia më e madhe lidhet me faktin që Edi Rama shkatërroi, prishi koalicionin e krijuar me Lëvizjen Socialiste për Integrim, gjë që çoi në fitoren e tij në 2007-ën. Për t’iu shmangur përgjegjësisë për humbjen ka vënë këta zëdhënësit e vet dhe përpiqet të miklojë opinionin së pari dhe të dalë si një njeri që di të reflektojë, di të kërkojë ndjesë etj etj”, thekson sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama.
Luan Rama shkon më tej në qëndrimin e tij për sa i përket ftesave të bëra nga selia rozë për një bashkëpunim elektoral me LSI-në. Sipas tij Lëvizja Socialiste për Integrim është pjesë e një koalicioni dhe nuk mund të shërbejë si trampolinë për të çuar Edi Ramën pas humbjes së bashkisë në zyrën e kryeministrit.
Në lidhje me këtë bashkëpunim ai shprehet se, “Bashkëpunim me kë dhe për çfarë? Këta zëdhënës të partisë socialiste kërkojnë bashkëpunim me LSI-në pasi nuk kanë lënë gjë pa thënë dhe pa bërë kundër LSI-së. Këta kërkojnë bashkëpunim që LSI të shërbejë si trampolinë për të çuar nga zyra e bashkisë së Tiranës të cilën e humbi, në zyrën e kryeministrit Edi Ramën. Mjafton ta shohim problemin nga ky pikëvështrim për të kuptuar falsitetin dhe hipokrizinë. Lëvizja Socialiste për Integrim jo vetëm nuk ka asnjë ndjeshmëri pozitive ndaj këtyre zërave por përkundrazi është e prerë e qartë dhe e vendosur që nuk do të ofrojë asnjëherë bashkëpunim që Edi Rama pasi humbi bashkinë e Tiranës të marrë kryeministrinë”.
Për sekretarin e përgjithshëm të LSI-së këto ftesa vijnë pas refuzimeve të njëpasnjëshme që Edi Rama i bëri qasjes së një bashkëpunimi të mundshëm me partinë e Ilir Metës. Luan Rama i referohet edhe një takimi të organizuar më 22 qershor të vitit 2009, pak ditë përpara mbajtjeve të zgjedhjeve parlamentare, ku kryesocialisti refuzoi të bëhej pjesë e tryezës së organizuar nga Meta për të koordinuar aksionin politik në emër të një koalicioni të përbashkët që mund t’i dhuronte fitoren së majtës, ashtu si në zgjedhjet lokale të 2007-ës. Ndonëse shpjegon Luan Rama, se kryesocialisti refuzoi të dëgjonte dhe thirrjet për një bashkëpunim me LSI-në nga lideri historik Fatos Nano i cili ndryshe nga ai u bë pjesë e kësaj tryeze.