Shqipëria dhe Italia bashkëpunim për energjinë bërthamore
Në këtë takim u diskutua gjerësisht për bashkëpunimin dypalësh në fushën e energjisë. Ministri italian i Ekonomisë Scajola ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e Shqipërisë si partnere e rëndësishme e Italisë në zhvillimin e burimeve të prodhimit të energjisë së rinovueshme. “Mbështetja e qeverisë italiane ndaj këtyre projekteve është e padiskutueshme, si dhe mbështetja për projektin e linjës së interkonjeksionit nënujor Shqipëri –Itali”, tha ai. Berisha i shprehu edhe njëherë ministrit Scajola ambicien dhe objektivin e qeverisë shqiptare për ta kthyer Shqipërinë në një nyjë strategjike për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe eksportimin e saj, gjë që ndihmon në zhvillimin e qëndrueshëm dhe me standarde të larta ambientaliste të ekonomive të rajonit.Kryeministri theksoi se mbështetja e projekteve italiane në fushën e energjisë hidrike dhe të erës, nëpërmjet garancisë financiare nga Instituti Italian për Garantimin e Investimeve të Huaja, për këto projekte, do të përshpejtojë financimin dhe implementimin e tyre. Në takim, të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim se bashkëpunimi i dy qeverive duhet të vazhdojë intensiv dhe në fushën e energjisë bërthamore.Institucionet dhe agjencitë përkatëse të të dy vendeve, të sapo krijuara, duhet të përforcojnë bashkëpunimin, në mënyrë që të kthejnë në rajonal projektin e ndërtimit të një centrali bërthamor, i cili do të rrisë burimet e energjisë së rinovueshme dhe do të garantojë tregun rajonal dhe atë italian me energji në afat të gjatë.