Shqipëria dhe Italia nënshkruajnë 6 marrëveshje e akte bashkëpunimi

Qeveria shqiptare nënshkroi sot 6 marrëveshje e akte bashkëpunimi me qeverinë italiane, si dhe me disa kompani të rëndësishme italiane. Marrëveshjet u nënshkruan në prani të dy Kryeministrave Sali Berisha dhe Silvio Berluskoni, pas bisedimeve zyrtare mes dy delegacioneve.
Ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta Anastas Duro dhe Ambasadori italian Saba D’Elia nënshkruan Marrëveshjen dypalëshe në fushën e Punës si dhe të Protokollit Zbatues.
Ministri i Financave Ridvan Bode nënshkroi me Ambasadorin italian Saba D’Elia Marrëveshjen Kuadër për Bashkëpunimin për Zhvillim.
Ministri i Ekonomisë, Energjetikës dhe Tregtisë Genc Ruli dhe Drejtori Ekzekutiv i Grupit “Falcione” Edmondo Falcione firmosën lejen e ndërtimit për realizimin e një rigazifikatori në zonën e Fierit.
Gjithashtu, Ministri i Ekonomisë, Energjetikës dhe Tregtisë Genc Ruli dhe Presidenti i Grupit “Moncada Costruzioni” Salvatore Moncada nënshkruan Deklaratën e Përbashkët për realizimin e një impianti eolik në jug dhe jug-lindje të Vlorës dhe e linjës së ndërlidhjes me rrymë të vazhdueshme ndërmjet rrjetit të transmetimit italian dhe atij shqiptar.
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi dhe Drejtori Ekzekutiv i “Colacem” Dr. Colaiacovo firmosën Deklaratën e Përbashkët për ndërtimin e një fabrike çimentoje në Balldre.
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi dhe Presidenti i “Todini Costruzioni Generali”, Zonja Todini, firmosën Deklaratën e Përbashkët për ndërtimin e segmentit rrugor Levan-Dames.
...