Shqipëria dhe Kroacia, gati të nënshkruajnë një marrëveshje të re për bashkëpunimin policor
Shqipëria dhe Kroacia pritet të nënshkruajnë një marrëveshje të re për bashkëpunim policor. Kjo u konfirmua dje gjatë takimit që ministri i Brendshëm Lulzim Basha diskutoi për këtë çështje me ministrin e Brendshëm të Kroacisë Tomisllav Karamarko.
Marrëveshja e mëparshme për bashkëpunim policor është nënshkruar që në vitin 1993 dhe për këtë arsye ministrat Basha dhe Karamarko ranë dakord në takim për rinovimin e saj brenda një kohe sa më të shkurtër, me synim thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Ministri i Brendshëm i Kroacisë Tomisllav Karamarko vlerësoi nga ana e tij se rinovimi i marrëveshjes do të mundësojë në radhë të parë shtrirjen e bashkëpunimit në të gjitha nivelet si dhe u shpreh se sheh tek pala shqiptare një partner të sigurt e të besueshëm.
Ministri Basha informoi gjatë takimit ministrin Karamarko mbi arritjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme.
Po kështu Basha informoi në takim edhe mbi përparimin e Shqipërisë në fushën e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, duke u ndalur në procesin e pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike dhe në procesin e modernizimit dhe instalimit të teknologjisë më të lartë të kontrollit në pikat e kalimit kufitar.
Në përgjigje të interesimit të medias, gjatë kësaj konference lidhur me vlerësimet për Shqipërinë në raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA për luftën kundër narkotrafikut, ministri Basha duke përshëndetur këtë raport u shpreh se ai evidenton qartë se Shqipëria ka luftuar në mënyrë agresive trafikun e lëndëve narkotike.