E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji të veprojë me forcë ndaj çdo dhunuesi të procesit të zgjedhjeve

Deklaron kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani

Taktikat e paligjshme elektorale të përdorura më 28 qershor, vijojnë ende të jenë një shqetësim për kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani. Institucioni i drejtuar prej tij ka depozituar në Prokurori disa kallëzime penale në tre qarqe, atë Fier, Shkodër dhe Kukës ndaj komisionerëve që ditën e zgjedhjeve shkelën Kodin Elektoral.
Abuzime këto, të evidentuara me forcë dhe në raportin përfundimtar të misionit të OSBE-ODIHR-it, ku theksohet se procesi u bllokua në disa VNV, ku ndarja e mandateve ishte ose dukej shumë e ngushtë, siç ishte dhe rasti i Bushatit në Shkodër. Për këtë zonë, raporti thotë se votimi u bllokua nga komisionerët e opozitës.
Sipas kreut të KQZ-së këtij fenomeni i duhet dhënë fund dhe ndaj të gjithë shkelësve që kanë falsifikuar dokumentet dhe braktisën qendrat e votimit apo të numërimit, duhet të veprojë dora e ligjit. Qëndrimi i Ristanit vjen në një kohë kur Gjykata e Qarkut të Shkodrës, dënoi të martën me gjobë tre komisionerët e PS në qendrën e votimit 0342, të cilët u akuzuan për shpërdorim detyre dhe në një kohë kur Prokuroria e qarkut Fier ka nisur një hetim në fshatin Ruzhdie, por pa i përfunduar ato, ndonëse kanë kaluar 7 muaj.
“Nuk i kemi dhënë zgjidhje fenomenit, i cili mund të na përsëritet edhe në zgjedhjet e ardhshme. E vetmja mënyrë ligjore që na ka mbetur tashmë është trajtimi i fuqishëm nga ana e organeve të drejtësisë. Një nga këto është edhe largimi i njërës palë, duke marrë vulën e komisionit me vete, kjo është një praktikë e paligjshme e zhvilluar gjithmonë aty ku pala tjetër ka pasur historikisht vota në favorin e saj. Ne u përpoqëm ta shmangim këtë fenomen në zgjedhjet në Shijak dhe KQZ pati një vendim ku u vendos që të vazhdohej të votohej”, deklaroi Ristani.
Burime nga Prokuroria e Qarkut Fier bëjnë me dije se hetimi i nisur për Komunën Ruzhdie ka ardhur pas kallëzimit penal të bërë nga Qazim Aliaj, në cilësinë e sekretarit në qendrën e votimit numër 30-52. Të njëjtat burime saktësojnë se ndaj Aliajt ka një tjetër kallëzim penal bërë më 28 qershor nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve pikërisht pasi ky i fundit nuk ka pranuar të kthejë vulën dhe as ka njoftuar forcat e rendit si dhe KZAZ-në 19 në Fier për kërcënim të jetës nga komisionerët demokrate në këtë qendër votimi.
Lidhur me hetimet e nisura nga Prokuroria e Fierit pas padisë së bërë nga Qazim Aliaj, kreu i KQZ–së Ristani thotë se e sheh si të njëanshëm pozicionimin e organit të akuzës, i cili ende sipas tij nuk është shprehur për kallëzimin penal të bërë nga komisioni që administron dhe certifikon rezultatin e zgjedhjeve.
“Kemi një vazhdimësi dhe një kontimitetit të njërës forcë politike që qendrën e votimit të caktuar. Kjo është taktika elektorale e rëndomtë kur forca tjetër e di që rezultati këtu që në këto shifra dhe veprojnë në këtë mënyrë, duke mos zbatuar ligjin, duke e thyer atë në mënyrë të dukshme, është lajtmotiv i ditës fenomeni i Ruzhdies. Kjo është një situatë që duket e njëanshme, mbase është shpejt për të folur, duhet të shikojmë ecurinë e hetimeve”, tha Ristani.
E ndërsa apeli i bërë nga kreu i KQZ-së kërkon zbardhjen e hetimeve sa më parë dhe zbatimin e ligjit, çfarë parashikon Kodi Penal në rastet kur komisionerët shpërdorojnë detyrën dhe falsifikojnë dokumentet?
Neni 248 sanksion gjobë ose burgim deri në shtatë vjet dhe në nenin 326 të tij, kur tentohet të falsifikohet rezultati i zgjedhjeve, atëherë shkelësit e ligjit dënohen me gjobë ose deri në pesë vjet heqje lirie.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›