E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, kartelizon anetaret e saj per zgjedhjet e vitit 2009

Selia rozë, formular për inventarizimin e burimeve njerëzore. Organizatat e PS-së detyrë për hartimin e listave me njerëzit dhe fiset influente në zona
Shaban Sulçe

Partia Socialiste ka nisur një proces të gjerë të inventarizimit të burimeve njerëzore në çdo qytet dhe komunë të Shqipërisë. Zyra e sekretarit Organizativ në Partinë Socialiste u ka dërguar kopje të një formulari të hartuar prej saj kryetarëve të të gjitha organizatave të PS-së, me anë të të cilit synon të marrë informacion dhe të krijojë një database me emra dhe mënyra kontakti të përfaqësuesve të të gjitha shtresave dhe kategorive. Ky informacion pritet të shfrytëzohet nga drejtuesit e PS-së, si për organizimin e takimeve, tryezave të diskutimit, ashtu edhe për fushatën e ardhshme elektorale të zgjedhjeve të vitit 2009.
Lidhur me këtë të fundit, plani i selisë rozë synon që falë angazhimit të drejtuesve të bazës, të arrijë të spikasë njerëzit dhe fiset me më shumë influencë nëpër zona, për t’i kontaktuar, afruar dhe bashkëpunuar në zgjedhjet e ardhshme. Por drejtuesit socialistë kanë projektuar që të mos mbështeten vetëm te njerëzit dhe fiset më influente në këto zona, por të kontaktojnë dhe të negociojnë për mbështetje me përfaqësuesit e të gjitha kategorive dhe shtresave.

Listat

Formulari kërkon hartimin e listave për përfaqësuesit e të gjitha kategorive e shtresave, që operojnë dhe shtrihen në zonat që mbulohen nga strukturat organizative të Partisë Socialiste.
Në të duhet plotësuar lista e ish-anëtarëve të forumeve, ish-drejtuesve të pushtetit vendor dhe ish-deputetëve të zonës. Drejtuesit e organizatave të PS-së duhet të evidentojnë dhe të hartojnë listën e biznesmenëve të zonës me 10-50 punëtorë, si dhe listën e biznesmenëve, të cilët në bizneset e tyre kanë të punësuar më shumë se 50 persona. Gjithashtu formulari duhet të plotësohet me listën e punonjësve të sistemit bankar, me listën e punonjësve të pushuar nga administrata publike, me listën e përfaqësuesve të komuniteteve fetare, listën e përfaqësuesve të Organizatave Jofitimprurëse (OJF), me listën e përfaqësuesve të shoqatave kulturore si dhe me listën e përfaqësuesve të koalicionit të majtë në zonat respektive.
Kryetarët e organizatave të PS-së duhet të gjejnë gjithashtu dhe të hartojnë listat edhe me emrat e arsimtarëve të shkollave 9-vjeçare e ato të mesme, me emrat e mjekëve, agronomëve, veterinerëve, ekonomistëve, pedagogëve si dhe të rinjve studentë.

Kategoritë

Përveç intelektualëve dhe studentëve, PS-ja, të paktën sa konstatohet edhe në formularë, kërkon që të fokusohet edhe në disa kategori, të cilat në plan të parë qëndrojnë disa hapa larg angazhimit apo çështjeve politike. Fjala është për hartimin e listës së punonjësve të sistemit bankar, përfaqësuesve të komuniteteve fetare apo të atyre të Organizatave Jo-Fitimprurëse në zona, si dhe shoqatave kulturore. Sigurisht që në listimin në këta formularë nuk do të mungonin edhe ato shtresa, të cilat kanë qenë mjaft aktive në përballimin dhe mbështetjen e fushatave elektorale. Drejtuesit e organizatave të PS-së kanë për detyrë që të gjejnë, në radhë të parë, emrat e njerëzve dhe fiseve, të cilat kanë më shumë influencë në zonat ku shtrihen organizatat e tyre. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe evidentimit të biznesmenëve, të cilët, sipas formularit, duhet të renditen në kategorinë e bizneseve me 10-50 punëtorë dhe më shumë se 50 punëtorë.

Plotësimi i formularit

Kryetarëve të organizatave të PS-së në bashki dhe komuna u kërkohet një punë e madhe në terrenin e zonave të tyre, për të mundësuar plotësimin e formularit të shpërndarë nga selia qendrore e partisë. Në bazë të listave të votuesve në zonat përkatëse, si dhe në bazë të njohjeve në zonë, drejtuesit e organizatave të PS-së duhet të evidentojnë përfaqësuesit e kategorive që kërkohen në formular. Në plotësimin e formularit, kryetarët e organizatave të PS-së duhet të gjejnë emrat, mbiemrat, arsimin, profesionin, numrin e celularit si dhe adresën postare të përfaqësuesve të kategorive dhe shtresave të sipërpërmendura, për të cilat Partia Socialiste synon që të hartojë datebase-n dhe inventarizimin e këtij informacioni.

Nënshkrimi

Interesant është fakti se në formular kërkohet edhe shënimi i datave dhe ngjarjeve historike. Kryetarët e organizatave duhet të shënojnë në fund të këtij formulari festat fetare historike dhe ngjarjet e zonës. Kompletimi i formularit plotësohet me shënimin e numrit të organizatës socialiste, me emrin e komunës apo bashkisë dhe qarkut në të cilën përfshihet ajo. Nënshkrimi i formularit duhet të bëhet nga kryetari i organizatës socialiste si dhe nga kryetari i komunës ose bashkisë respektive.

Dorëzimi

Dokumenti është hartuar nga zyra e sekretarit Organizativ të Partisë Socialiste. Ai ka filluar t’u shpërndahet të gjithë kryetarëve të organizatave të PS-së, në bashki e komuna dhe synon marrjen e një informacioni të hollësishëm rreth burimeve njerëzore pranë këtyre strukturave. Procesi i shpërndarjes së këtij dokumenti pranë kryetarëve të organizatave pritet të përfundojë brenda javës së ardhshme. Ndërkohë, drejtuesit e këtyre strukturave të PS-së duhet që brenda muajit mars 2008 të kenë përfunduar plotësimin e formularit dhe dorëzimin e tij në zyrën e sekretarit Organizativ të Partisë Socialiste.

1-Lista e ish-anëtarëve të forumeve
2-Lista e ish-drejtuesve të pushtetit vendor
3-Lista e ish-deputetëve të zonës
4-Lista e biznesmenëve me 10-50 punëtorë
5-Lista e biznesmenëve me më shumë se 10-50 punëtorë
6-Lista e arsimtarëve të shkollës 9-vjeçare dhe asaj të mesme
7-Lista e mjekëve
8-Lista e agronomëve
9-Lista e veterinerëve
10-Lista e ekonomistëve/sektor publik/privat
11-Lista e pedagogëve të universiteteve
12-Lista e të rinjve studentë
13-Lista e punonjësve të sistemit bankar
14-Lista e punonjësve të pushuar nga administrata publike
15-Lista e njerëzve me influencë në zonë
16-Lista e fiseve me influencë në zonë
17-Lista e përfaqësuesve të komuniteteve fetare
18-Lista e përfaqësuesve të OJF-ve
19-Lista e përfaqësuesve të shoqatave kulturore
20-Lista e përfaqësuesve të koalicionit të majtë në zonë

20 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›