Shqipëria dhe NATO, urgjencë të përfundojnë bisedimet e anëtarësimit
Për anëtarësimin e plotë të vendit në NATO, Tirana zyrtare ka firmosur shkresën e nisur nga Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jap de hoop Scheffer, për të filluar raundin e negociatave të cilat do të çojnë në hartimin e protokollit të aderimit me të drejta të plota në Aleancën Veri-Atlantike. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, deklaroi dje se, që pas 3 prillit për vendin tonë nisi një proces edhe më i rëndësishëm. “Deri në vitin 2009 kur Shqipëria pritet të bëhet anëtare e familjes me 26 vende duhet të testohemi sërish, si në refomat politike, edhe në ato ushtarake”, tha Basha. Ai bëri me dije se “synimi i qeverisë shqiptare është përshpejtimi i proccesit të bisedimeve dhe negociatave me Aleancën e Atlantikut të Veriut për të cilën jemi plotësisht optimist duke patur parasysh edhe vullnetin e mirë të Aleancës”. Kryediplomati shqiptar, Basha u shpreh se negociatat do të parashikojnë disa fusha të ndryshme, pra reformat politike, ushtarake, si dhe reformat për çështje të sigurisë. “Presim që negociatat të jenë në të njëjtin format si me vendet e tjera. Sigurisht, që në negociata do të jenë të përfshirë ekspertë, por do të ketë edhe një udhëheqje politike të procesit të negociatave”, theksoi ministri Basha. Sipas tij, janë negociatat ato që do të përcaktojnë dokumentin përfundimtar, i cili më vonë ratifikohet apo aprovohet nga vendet anëtare. “Më datën 8 prill Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, ka dërguar një letër ku në vijim të vendimit të Kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, fton qeverinë e Shqipërisë për të filluar bisedimet për Aderimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut, bisedime të cilat do të çojnë në anëtarësimin e Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Në përgjigje të kësaj letre, kam firmosur dhe dërgoj në emër të qeverisë Shqiptare pranimin zyrtar të ftesës, dhe shpreh gatishmërinë për fillimin e bisedimeve të aderimit”, konfirmoi në këtë drejtim Basha. Në këtë kuadër, ai vuri në pah se Shqipëria mbështet plotësisht Kalendarin e Bisedimeve të Aderimit, për periudhën Prill-Maj 2008, me synim përfundimin e Protokolleve të Aderimit në kohën e duhur për t’u nënshkruar nga vendet anëtare të NATO-s,në Korrik të vitit 2008, dhe më tej. Në këtë kuadër, Basha vuri në dukje se Shqipëria nuk do të kursejë përpjekjet e saj për të ndërmarrë dhe përmbushur rigorozisht detyrimet politike dhe ushtarake, që rrjedhin nga angazhimet e Traktatit të Uashingtonit dhe të Studimit mbi Zgjerimin e NATO-s. “Përfitoj nga rasti të falenderoj Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s,për përkushtimin,ndihmesën dhe udhëheqjen personale në procesin që po e çon Shqipërinë në Aleancë dhe theksoj se marrja e ftesës shënon kurorëzimin me sukses të përpjekjeve 15 vjeçare të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit të saj në NATO, duke realizuar kështu një hap të madh,të rëndësishëm dhe historik në drejtim të projektit tonë kombëtar euroatlantik,përmes afirmimit të vlerave më të mira evropiane”,kokludoi ministri I Punëve të Jashtme Lulzim Basha. Ndëkaq, NATO, pritet të përcaktojë datën e fillimit të bisedimeve me ekspertët shqiptarë për proccedurën e anëtarësimit të plotë. Kësisoj, do të duhet të paktën 3 raunde një prej të cilave do të jetë tërësisht politike deri në vitin 2009, kur pas miratimit të protokollit të aderimit nga të 26 vendet anëtare të NATO-s, Shqipëria të renditet në familjen atlantike duke patur të drejtën e vendimmarrjes. Pak ditë më parë zëdhënësi i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Xhejms Apathuraj, deklaroi se NATO, shpreson që Shqipëria të jetë në gjendje ti bashkohet zyrtarisht aleancës gjatë verës së vitit të ardhshëm. Anëtarësimi duhet që të ratifikohet nga parlamentet e 26 aleatëve si dhe të 2 anëtarëve të rinj. Samiti special me rastin e 60-vjetorit të NATO-s do të mbahet po në fillim të prillit të vitit të ardhshëm në Strasburg të Francës si dhe në qytetin gjerman të Kehlit.