Shqiptarët mbështesin të gjitha reformat që i afrojnë me Perëndimin
Në Samitin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, që u zhvillua në datë 3 prill në Bukuresht, Shqipëria u ftua zyrtarisht të bëhet pjesë e këtij forumi të rëndësishëm ndërkombëtar të sigurisë, të demokracisë dhe të lirisë. Në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë për të gjitha vendet antare të kësaj Aleance dhe për ju shkëlqesi Ambasadorë, si përfaqësues të vendeve mike, të cilat njëzëri i ofruan Shqipërisë vendin e nderuar të aleatit. Ne do ta meritojmë këtë vend, ashtu siç e merituam edhe ftesën për të qenë së bashku në përmbushjen e detyrave të brendshme dhe në përballjen me sfidat e jashtme. Shqipëria ka dhënë prova se nuk ka mëdyshje në vendosmërine e saj për t’u antarësuar në NATO dhe në Bashkimin Europian. E gjithë klasa politike, mbarë opinioni dhe shoqëria shqiptare mbështetën këtë hop cilësor të Shqipërisë në marrëdhëniet me botën e qytetëruar. Të gjithë gëzuan që Shqipëria u rikthye përfundimisht në familjen, së cilës ajo historikisht i përket. Ne sot festojmë këtë sukses dhe në të njëjtën kohë bëjmë bilancin për arritjen e tij, duke ritheksuar se në radhë të parë kjo është meritë e popullit shqiptar. E meritojnë shqiptarët që ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri, shqiptarët që mbështesin demokracinë tonë nga vendet ku ata jetojnë, e meritojnë ushtarakët shqiptarë që përmbushin misionin e tyre të vështirë në Afganistan apo në Irak. Bilancin dhe analizat duhet t’i bëjë politika, qeveria e opozita, të cilat natyrshëm meritojnë të ndajnë së bashku frytet e kësaj fitoreje dhe përgjegjësitë përpara sfidave në të ardhmen. Në momente të tilla historike është e vështirë të përmbahen emocionet, por analizat përcaktuese dhe programet për hapat e mëtejshëm kërkojnë që çdo minutë që kalon të ketë vlerën e saj euroatlantike për Shqipërinë. Në këtë rrugëtim historik në drejtim të demokracisë, lirisë dhe sigurisë ju ftoj të përkushtohemi të gjithë, natyrshëm dhe vendosmërisht, në mënyrë që rruga jonë euroatlantike të garantoje një të ardhme të sigurt për të gjithë. Vendimi i Samitit të Bukureshtit është një notë pozitive ndaj përpjekjeve dhe arritjeve të Shqipërisë dhe shqiptarëve në përmbushjen e standarteve të domosdoshme në drejtim të reformave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në fushën e drejtësisë dhe atë zgjedhore, të luftës kundër korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme, të sigurisë së kufijve dhe të konsolidimit të institucioneve demokratike. Roli i përgjegjshëm, i matur e moderues i Shqipërisë në zgjidhjen e çështjeve të rajonit tonë, sidomos qëndrimi i saj në harmoni të plotë, si me interesat e përgjegjësitë e partnerëve ndërkombëtarë, ashtu dhe me interesat tona kombëtare gjatë procesit të pavarësimit të Kosovës, u vlerësua maksimalisht nëpërmjet ftesës për anëtarësim. Ky hap i parë integrues duhet të shoqërohet me përgjigje dinamike ndaj çështjeve shumë të rëndësishme, me të cilat përballet demokracia shqiptare në rrugën e antarësimit të plotë në NATO. Ne duhet të arrijmë t’i kthejmë besimin qytetarit shqiptar tek drejtësia, duhet të arrijmë që taksapaguesi shqiptar të jetë i sigurtë se kontributet e tij shkojnë për të ardhmen e fëmijëve të tij, që familjet shqiptare mos të përjetojnë më skena tragjedish si ajo e Gërdecit, që prona dhe pronësia në Shqipëri të bëhen të shenjta dhe të ligjshme, që qytetarët shqiptarë të jenë të regjistruar dhe të kenë një kartë identiteti. Politikanët duhet të përmbushin premtimet e tyre elektorale, sepse besimi qytetar varet jo nga fjalët, por nga veprat e tyre.Reformat në Shqipëri nuk janë dhe nuk mund të jenë qëllim në vetvete. Ato duhet të përcaktohen, të ndërtohen dhe të konkretizohen në përmbushje të qëllimeve tona strategjike kombëtare dhe të detyrimeve tona ndërkombëtare. Pjesëmarrja dinjitoze e Shqipërisë në tryezën e vendimmarrjeve më të rëndësishme për çështje komplekse që lidhen me të ardhmen e demokracisë, lirisë dhe sigurisë në planin global kërkon domosdoshmërisht një përgjegjësi jo vetëm ndaj popullit shqiptar, por edhe ndaj kombeve të tjera. Shqipëria e shikon të ardhmen e saj në mënyrë të palëkundur si mike dhe aleate e demokracive të vjetra botërore duke u kthyer përfundimisht jo vetëm në pjesë të proceseve integruese në rajon, por edhe në kontribuese të rëndësishme në politikat e sigurisë, demokracisë dhe zhvillimit në hapësirën adriatiko-joniane dhe në Europën Juglindore.
Fjala e Presidentit Topi në pritjen me rastin e marrjes së ftesës për antarësimin në NATO.
Nga Bamir Top
Fjala e Presidentit Topi në pritjen me rastin e marrjes së ftesës për antarësimin në NATO.
Nga Bamir Top