E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Unë jam lideri i opozitës në opozitë

Nga BBC/Tema

Intervistë e liderit të LSI, z. Ilir Meta, dhënë për radio BBC gjatë vizitës së tij në Londër, ku zhvilloi takime me personalitete të rëndësishme të politikës britanike

Z. Meta, prej disa ditësh ju ndodheni në Londër, ku jeni takuar me personalitete të rëndësishme të politikës së Britanisë. A mund të na thoni çfarë çështjesh të rëndësishme mbizotëruan në këto takime?

Në të gjitha takimet që kam zhvilluar këtu në Londër, në mënyrë të veçantë me ministren për Evropën, Caroline Flint, apo me kryetarët e Komisionit të Jashtëm dhe të Komisionit për Evropën në Parlamentin britanik z. Gapes dhe Michael Connarty, gjithashtu dhe në takimet me personalitete të tjerë si me z. Tony Lloyd, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Laburiste, Sekretarin e Përgjithshëm të laburistëve dhe shumë personalitete të tjera përfshirë këtu dhe këshilltarin për Politikën e Jashtme të kryeministrit Brown, z. Stewart Woods, diskutimi kryesor ka qenë ai i arritjes së standardeve dhe zhvillimi i zgjedhjeve të ndershme dhe të lira më 28 qershor në Shqipëri. Dua të them se shqetësimi që është edhe këtu, ka lidhje pikërisht me faktin, nëse ekziston vullneti i duhur për të realizuar në kohën e duhur të gjitha standardet që do të garantonin një proces të besueshëm.

Duke qëndruar në këtë pikë, sipas jush, a do të realizohen këto standarde për të cilat ju po flisni, në kohën e duhur?

Ne jemi shumë të shqetësuar, se mungon vullneti politik për realizimin e këtyre standardeve, sepse, në rast se do të kishte pasur një vullnet politik, jo vetëm te kryeministri Berisha, te i cili gjithnjë kemi dyshuar, por edhe nga kryetari i Partisë Socialiste zyrtare, z. Rama, Kodi Zgjedhor duhet të ishte bërë me kohë, duhet të ishte bërë në transparencë të plotë dhe gjithë këto procese të tjera, qofshin edhe kartat e identitetit, do të ishin zhvilluar në kohën e duhur. Fakti që ne jemi kaq të shtrënguar tashmë në kohë për të realizuar shumë detyrime, tregon se këto standarde kanë nisur të rrezikohen seriozisht.

Z. Meta, si e vlerësoni situatën parazgjedhore tashmë në Shqipëri?

Situata parazgjedhore nuk është ajo e dëshirueshmja për një klimë normale demokratike. Po të kemi parasysh situatat me mediet, nuk është një situatë transparente, televizione të caktuara janë krejtësisht të kontrolluara ose nga bashkia, ose nga qeveria. Njëkohësisht, po të vëmë re, edhe tensioni sa vjen dhe rritet, kështu që do të bëja një apel për të gjithë për një klimë më konstruktive, sikurse do të apeloja të gjitha mediet për të qenë më transparente në misionin e tyre të informimit të opinionit publik për çdo zhvillim. Njëkohësisht, do t’i ftoja të dy drejtuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste të jenë të hapur për debate elektorale, në mënyrë që përmes transparencës qytetarët shqiptarë të bëjnë qartë dallimin midis tri alternativave kryesore në këto zgjedhje.

Kur është fjala për debat, të krijohet përshtypja se niveli i debatit aktual, z. Meta, është apo do të jetë një ogur jo i mirë për atë që do të ndodhë në finale...

Aktualisht nuk ekziston ndonjë debat, sepse, po të vini re, si z. Berisha, apo për fat të keq edhe z. Rama, i shmangen një debati të drejtpërdrejtë, të ballafaqimit të ideve, të vizionit, të ballafaqimit të alternativave, por kryesisht është zgjedhur rruga përmes elementeve të porositur për të degraduar debatin politik.

Z. Meta, ju përmendët pak më parë z. Rama, dhe pyetja ime konsiston në faktin se, a ka mbetur ndonjë rrugë komunikimi për të gjetur gjuhën e përbashkët me lidershipin e PS apo përfundimisht LSI dhe PS do të shkojnë të ndara në zgjedhje?

Midis lidershipit të PS zyrtare dhe socialistëve ne bëjmë një dallim esencial, sepse ne bashkëpunojmë çdo ditë me socialistët. Pak ditë më parë nënshkruam edhe një marrëveshje për bashkëpunim elektoral me Partinë Socialiste të Vërtetë ‘91 të drejtuar nga kolegu ynë, z. Petro Koçi, dhe shumë eksponentë të tjerë socialistë ndër vite. Por, njëkohësisht, ne besojmë se edhe me socialistët që ende janë në PS zyrtare, do të bëjmë një marrëveshje pas zgjedhjeve, pasi kuptohet që kreu aktual i PS zyrtare nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë vullnet për bashkëpunimin opozitar dhe kanë qenë përgjegjësit kryesorë të degradimit të Kodit Zgjedhor, dhe të situatës që u krijua me grevën e urisë. Ndaj është një nga përgjegjësit kryesorë pas Berishës - ky është i dyti - që mban përgjegjësi për çdo cenim të standardit të zgjedhjeve. Mendoj se sistemi proporcional rajonal nuk përbën ndonjë shqetësim për sa i takon asaj që do të ndodhë pas zgjedhjeve, pasi opozita në përgjithësi i ka të gjitha mundësitë që përmes dy koalicioneve të saj të maksimalizojë rezultatin.

Në mos gabohem, z. Meta, për herë të parë në skenën e politikës shqiptare është regjistruar fenomeni, le të themi kështu, që anëtarët e njërës parti opozitare, p.sh., të Partisë Socialiste, të kalojnë në LSI apo anasjelltas. Mund të sjellë kjo ndonjë efekt?

Mendoj se kjo nuk sjell asnjë lloj efekti. Pasi unë besoj se të gjithë ata që vijnë te LSI, vijnë për arsye morale dhe për arsye bindjesh politike. Ndërsa raste tepër sporadike të porositura nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, përmes ofertave korruptuese për individë të dëshpëruar që thjesht synojnë të rregullojnë ekonominë e tyre për momentin, jo vetëm nuk përbëjnë ndonjë fenomen, por janë raste krejtësisht të shëmtuara që kanë ndihmuar shumë në rigjallërimin e LSI kudo ku ato kanë ndodhur. Ne në LSI kemi pritur me mijëra socialistë të paktën në vitin e fundit, që kur z. Rama shkeli Kushtetutën e ‘98, pra e kam fjalën për 21 prillin, dhe në rast se do përpiqet përsëri me taktika të tilla korruptive, të cilat në fakt synojnë të fshehin panikun e madh të tij për rrjedhjen e jashtëzakonshme që po i ndodh në partinë e tij si rezultat i shkeljes së vlerave dhe traditës të PS, pastaj ne do të jemi të gatshëm të mbushim sheshin “Skënderbej” me gjithë anëtarët dhe eksponentët e PS, që kanë ardhur gjatë vitit të fundit në LSI.

Por edhe z. Rama përgjigjet me të njëjtat kundërakuza përafërsisht të ngjashme...

Nuk ka asnjë akuzë të ngjashme, sepse ne jemi një opozitë e vërtetë. Unë jam lideri i opozitës në opozitë, në kuptimin e vërtetë, pasi te ne njerëzit vijnë për arsye morale, sepse unë nuk jam as kryetar bashkie, nuk jam kryeministër, nuk ofroj tenderë, nuk ofroj leje ndërtimi, por ofroj besim dhe moral për një ndryshim të politikës në Shqipëri dhe për të mbrojtur vlerat e majta dhe progresiste.

PS: Nuk është i çuditshëm bashkëpunimi Meta- Berisha

Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, tha dje se kryeministri, Sali Berisha, e shpalli hapur qëllimin e tij për t’u bashkuar pas zgjedhjeve me Ilir Metën e LSI.

“Kjo për ne nuk përbën asnjë çudi, përderisa prej kohësh Ilir Meta në raport me opozitën mendon, flet e vepron si Berisha, duke u sjellë në fakt si ministër i Berishës që mbulon çështjet e opozitës.

Është krejt e qartë, Berisha dhe Meta janë bashkë dhe duan të fitojnë për të bërë së bashku edhe 4 vjet të tjera atë që kanë bërë 18 vjet me radhë.

Për një Shqipëri të re, ku korrupsioni nuk bën ligjin e nuk kap qeverinë dhe ku fjala e përfaqësuesve të popullit nuk përdoret për shpifje e fyerje ndaj kundërshtarit politik e familjes së tij, janë të ftuar të gjithë qytetarët e qytetaret e Tiranës të marrin pjesë në manifestimin e madh të ditës së diel, ora 18.00 në sheshin “Skënderbej”, - tha Kodheli.

Ajo tha se shfaqja e Berishës në TV “Klan” ishte e turpshme, për shkak se ai sërish sulmoi familjen e kryetarit të PS, Edi Rama.

“Mbrëmë shqiptarët panë një shfaqje të mjerueshme të degradimit të politikës në pushtet, dhënë nga zoti Sali Berisha.

Kryeministri sulmoi me një primitivizëm që s’ka asnjë lidhje me kodin etik të familjes evropiane kryetarin e opozitës dhe familjen e tij. Të njëjtën gjë po bën prej javësh edhe e gjithë shpura e oborrtarëve të tij. Ne mendojmë se në fakt kjo baltosje e kthyer në platformë politike të PD flet më mirë se çdo koment për krizën e ideve dhe të rezultateve të kryeministrit e të qeverisë së tij”, - tha Kodheli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›