E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: PS të listojë problemet

 ADI SHKEMBIKryeministri Sali Berisha vlerësoi pozitivisht tryezën e thirrur nga Presidenti Topi dhe i bëri thirrje opozitës të paraqesë të gjitha amendamentet për t'i votuar ato menjëherë. Në një deklarim për mediat, në përfundim të takimit prej 3 orësh, kreu i qeverisë tha se maxhoranca është e gatshme të plotësojë të gjitha rekomandimet e KiE-së dhe OSBE/ODIHR-it. Ai garantoi në të njëjtën kohë se komisioni hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit në të gjithë vendimmarrjen e tij do të jetë me shumicë nga opozita, për të bërë të mundur miratimin e të gjitha propozimeve të saj. "Koalicioni qeveritar i ofron zotit Rama dhe opozitës që të hartojë të gjitha amendamentet për adresimin e vërejtjeve dhe sugjerimeve të tyre dhe maxhoranca do t'i votojë ato. Sikundër jemi të gatshëm të ngremë komisionin hetimor parlamentar që në seancën e ardhshme, ku opozita të ketë shumicën në të gjitha votimet në këtë komision, përmes tërheqjes së dy anëtarëve tanë nga kuorumi i tij. Në këtë kontekst, unë i propozova zotit Rama të listojë të gjitha çështjet dhe problemet që ekzistojnë mes maxhorancës dhe opozitës, mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste dhe ne do t'i trajtojmë ato në mënyrën me serioze dhe më konstruktive", u shpreh Berisha. Megjithatë kreu i ekzekutivit u shpreh i vendosur në qëndrimin e tij për të mos pranuar diskutime porsa i përket hapjes së kutive të votimit dhe ndryshimit të vendimeve të gjykatave. "Natyrisht, unë nuk mund të trajtoj problemet zgjedhore që PS ka me Gjykatën e Apelit, sikundër unë nuk kërkoj trajtimin nga ne të dy të problemeve zgjedhore që Partia Demokratike ka me Gjykatën e Apelit. Problemet me vendimet e gjykatave nuk janë probleme midis partive, por janë çështje që secila prej partive ka me pushtetin gjyqësor dhe vendimet e tij. Ju e dini se për Partinë Demokratike, në mënyrë të përsëritur, Gjykata e Apelit dhe Kolegji Zgjedhor kanë dhënë vendime të disfavorshme, madje edhe në zgjedhjet e fundit", theksoi më tej Berisha. Sipas tij me përjashtim të kësaj çështje, maxhoranca do të jetë e angazhuar të plotësojë të gjitha kushtet e opozitës.“Apeli na mori mandatin në Fier”Kreu i qeverisë tha dje se pavarësisht vendimeve në disfavor të PD-së, kjo forcë ka pranuar të gjitha verdiktet e Kolegjit Zgjedhor. "Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë jo vetëm kërkesën e zotit Rama për rinumërim të votave në disa zona, por ajo ka hedhur poshtë edhe kërkesën e Partisë Demokratike për rinumërim në distriktin e Fierit, sepse bazuar në nenin 116 të kodit elektoral, i cili sanksionon se rinumërimi votave mund te behet vetëm në raste kur ka kundërshtime gjate procesit të numërimi të tyre, gjykata konkludoi se nuk mund të ketë rinumërim të votave pa kundërshtime gjatë numërimit të tyre", tha Berisha. Sipas tij "Gjykata e Apelit shpalli të pavlefshme, me kërkesë të PS, 512 votat e komunës Rushdije vetëm pse fletët e votimit nuk kishin dy vula, por vetëm një ( për arsye se njërën vulë e mori komisionari i Partisë Socialiste dhe u largua nga Qendra e Votimit gjithë ditën). Dhe në këtë mënyrë i dha mandatin Partisë Socialiste. Unë nuk kam akuzuar zotin Rama se më grabiti mandatin për Rushdijen. Jo! Mandati iu mor Partisë Demokratike nga Gjykata e Apelit dhe unë e kam pranuar këtë vendim".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›