Shqipëria do fitoren në Azerbajxhan

Starton aventura azerbajxhanase e kombëtares sonë. Dita e djeshme është shfrytëzuar nga një pjesë e mirë e kuqezinjve për udhëtimin drejt kryeqytetit të Azerbajxhanit, Bakut, ku më 19 nëntor do të zhvillojë edhe një ndeshje miqësore përballë përfaqësueses vendase.
Shqipëria, pas ndalesës në aeroportin e Stambollit, mbërriti në Baku në orët e mbrëmjes së djeshme.
Vetëm dhjetë lojtarë janë vënë mbrëmë në dispozicion të trajnerit Ari Han, ndërsa pjesa tjetër do të mbërrijë sot, kur është parashikuar edhe seanca e parë stërvitore.
Dita e djeshme ka qenë e veçantë edhe për trajnerin holandez të përfaqësueses, i cili ka festuar 60-vjetorin.
Takimi miqësor Azerbajxhan-Shqipëri (ora 17.00) do të transmetohet si nga Televizioni Publik Shqiptar, TVSH, ashtu dhe nga paketa "SuperSport".
Kjo është miqësorja e katërt kundër Azerbajxhanit, në tri të parat Shqipëria ka fituar dy në Tiranë dhe një në La Valeta të Maltës.