Giallorossët fitojnë derbin romak
Skuadra e Romës ka dalë fituese në derbin e madh të kryeqytetit kundër rivalit Lazio duke e mposhtur me rezultat minimal 1-0. Pjesa e parë e takimit ofroi një ndeshje shumë të bukur për sy me raste të shumta në të dyja anët, por nuk u shënua asnjë gol. Pesë minuta brenda pjesës së dytë, pas një krosimi të kapitenit Francesco Totti, Julio Baptista goditi me kokë për ta mposhtur portierin Carrizo. Lazio nga minuta e 66-të mbeti me një lojtar më pak në ndeshje pasi Ledesma u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë, mirëpo mungesa e një lojtari nuk u vërejt aspak te Biancocelestët të cilët dominuan në pjesën më të madhe të gjysmëlojës së dytë. Pa përfunduar koha e rregullt (88') edhe Perrota u largua pas kartonit të dytë të verdhë, për t'u baraspeshuar forcat në fushë, mirëpo fati nuk ishte me Lazion, e cila deri në fund të takimit nuk arriti t'i barazonte shifrat duke shpërdoruar disa raste shumë të mira.