E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria do të hapë ambasadë në Emiratet e Bashkuara

Kjo u tha që gjatë takimit që ministri i Jashtëm, Ilir Meta, zhvilloi me ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe në Republikën e Shqipërisë, Abdelhadi Alkajah, rezident në Athinë, me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale.

Gjatë takimit u vlerësuan niveli i marrëdhënieve midis dy vendeve, ku Meta shprehu falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme që pala emiratase ka dhënë lidhur me financimin e projekteve me rëndësi për Shqipërinë, siç është edhe financimi i ndërtimit të Aeroportit të Kukësit. Po kështu, Meta falënderoi për angazhimin e Emirateve të Bashkuara Arabe për të financuar një pjesë të rrugës së re Tiranë-Elbasan, përmes fondit të Abu Dhabit.

Kryediplomati shqiptar shprehu edhe mirënjohjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës, nga ana e Emirateve të Bashkuara. Meta shprehu dëshirën për të pritur së shpejti Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

Nga ana e tij, Ambasadori Alkajah theksoi se miqësia mes dy popujve do të konsolidohet më tej dhe siguroi për gatishmërinë e qeverisë emiratase për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik midis dy vendeve si në planin dy palësh dhe atë shumëpalësh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›