Shqipëria dorëzon sot kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian
Disa herë gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar kryeministri Sali Berisha kishte deklaruar se aplikimi për statusin e vendit kandidat nuk do të bëhej me nxitim dhe do të realizohej në koordinim të plotë me strukturat e Bashkimit europian, ndërkohë që opozita nxiste ndërmarrjen e një hapi të tillë menjëherë. Në fund të vitit të shkuar në një takim me mbështetësit e partisë së tij në përvjetorin e formimit të partisë demokratike, kryeministri njoftoi se kërkesa do të bëhej në mujat e parë të 2009. Synimi ishte brenda janarit. Por kriza e thellë ekonomike që kaploi Europën bëri që Shqipëria të mos nxitohej per momentin. Parlamenti shqiptar miratoi ndërkohë me konsensusin e të dyja palëve një rezolutë ku i kërkonte qeverisë që në bashkëpunim me srukturat e Bashkimit europian të aplikonte për sttusin në momentin e përshtatshëm.
Me kalimin e javëve por dhe vënia e qeverisë shqiptare në një përballje gati sfiduese me institucionet europiane të cilat kërkuan mosmiratimin në parlament të ligjit të dosjeve për shkak të problemeve kushtetuese që ata konstatonin në këtë ligj, duket se krijuan një distancë mes Tiranës dhe Brukselit për cështjen e aplikimit. Më 23 shkurt në përfundim të një takimi në Bruksel mes ministrit të jashtëm Lulëzim Basha dhe komisionerit për zgjerimin Olli Rehn, u duk se ishte rënë dakort që Shqipëria të mos avanconte më tej. "Qeveria shqiptare ka bërë një zgjedhje të urtë për të mos nxituar me aplikimin për anëtarësim në BE"– tha në atë kohë zëdhënësja Kristina Nagy.
Për herë të parë përmendet çështja e zgjedhjeve të 28 qershorit. Sigurimi i përgatitjeve dhe zhvillimit të duhur të zgjedhjeve parlamentare të 2009 në përputhje me standartet ndërkombëtare është një kusht kyc për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën e saj drejt bashkimit Europian, shtoi zëdhënësja. Që nga ajo kohë ky refren, i thënë edhe më hapur, është përsëritur disa herë nga zyrtarë të komisionit por edhe përfaqësues diplomatik të vendeve të ndryshme anëtare.
Por dy ditë më parë kryeministri shqiptar këmbënguli se vendimi është marrë në bashkërendim me të gjitha strukturat europiane, ndonëse publikisht askush nuk është shprehur për këtë: "Ky vendim i yni nuk vjen si një vendim i njëanshëm, por vjen si një vendim plotësisht i bashkërenduar me vendin që ka Kryesinë e radhës së Bashkimit Europian, vjen si një bashkërendim me vendet anëtare të Bashkimit Europian, të cilat mbështesin këtë akt dhe këtë vendim, vjen si një bashkërendim me Komisionin Europian”, deklaroi kryeministri.
Çështja është se dorëzimi i aplikimit është një akt thellësisht individual. Bashkërendimi i kërkuar me srukturat e Bashkimit europian është për të siguruar një vazhdimësi procesit, në mënyrë që aplikimi të mos mbetet për një kohë të gjatë në sirtare. Dhe rrethanat, si të brendshme ashtu dhe të vetë Bashkimit europian nuk janë në favor të një shqyrtimi të shpejtë të kësaj kërkese të Shqipërisë. Së pari, zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, shmangin automatikisht futjen e dosjes shqiptare në rendin e ditës së Brukselit gjatë presidencës çeke, pra deri në fund të qershorit. Nga ana tjetër vetë presidenca ceke po kalon një mijë probleme pas rënies së qeverisë së kryeministrit Mirek Topolanek.
Në fakt kryeminisri shqiptar do t'ia dorëzojë kërkesën kryeministrit të dorëhequr çek i cili do të drejtojë presidencën e Bashkimit europian deri më 8 maj kur pritet të marrë detyrën kryeministri i ri Fisher. Pozita çeke për të ndikuar në gjirin e BE-së në dy muajt e mbetur, është dobësuar shumë. Jo më larg po dje zoti Topolanek deklaroi në Pragë se "me rënien e qeverisë së tij praktikisht edhe presidencës çeke të Bashkimit europian i kishte ardhur fundi”. Aktualisht madje nuk dihet edhe se kush do ta zëvendësojë zotin Topolanek në drejtimin e BE-së, nëse do të jetë kryeministri i ri apo frenat do t'i marrë në dorë presidenti cek Vaclav Klaus, një euroskeptik i njohur.
Opozita
shqiptare kritikoi dje kryeministrin duke deklaruar se kishte marrë një vendim
të vonuar dhe se nuk duhet të kishte pritur fushatën elektorale. Kryeministri
Berisha dy ditë më parë tha se ky nuk ishte një akt elektoral, por në mënyrë të
pashmangshme ky hap i rëndësishëm do të jetë një kartë e fortë në fushatë,
krahas anëtarësimit në Nato, sikundër në fakt po ndodh edhe këto ditë kur po
përmendet në të gjitha takimet paralektorale të anëtarëve të qeverisë dhe
drejtuesve të partisë demokratike në pjesë të ndryshme të vendit. //kk//