Topi: Jo kontrollit politik mbi organet e Drejtësisë
PESHKOPI
Presidenti Bamir Topi, kundërshtoi ashpër sulmet e kohëve të fundit ndaj Prokurorisë, duke deklaruar qartë mbështetjen për organet e drejtësisë dhe pavarësinë e tyre. Kreu i shtetit drejtoi mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e cila është zhvilluar në Peshkopi në kuadër të transparencës me qytetarët. Në deklaratën e tij të parë, që pas përplasjeve të forta të kohëve të fundit mes ekzekutivit dhe Prokurorisë, Presidenti Topi theksoi se: “Ne kundërshtojmë kontrollet politike ndaj institucioneve të pavarura. Duhet të synojmë pavarësi të organizmave të pavarura dhe kërkojmë të dëgjohen grupet e interesit”. Kreu i shtetit duke iu referuar vëmendjes së qytetarëve të Peshkopisë për mbledhjen e djeshme të KLD-së, e konsideroi atë si një shprehje të domosdoshmërisë për një sistem drejtësie, profesional, të pa korruptuar, i cili operon sipas standardeve. “E kam thënë dhe herë tjetër, që çdokush kërkon që të jetë qytetar i një shteti të së drejtës. Padyshim që çështjet e drejtësisë nuk janë vetëm në Tiranë, çështja e drejtësisë diskutohet kudo në çdo qelizë të shtetit shqiptar dhe kjo është arsyeja, që jo thjesht si një ekzibicion, por për të marrë substancën e kësaj filozofie, ne dëshirojmë të jemi pranë qytetarëve dhe të jemi shumë pranë shqetësimit të qytetarëve”, vijoi më tej kreu i shtetit. “Padyshim që Këshilli i Lartë e Drejtësisë është jo vetëm i ndërgjegjshëm, por është edhe shumë i ndjeshëm edhe ndaj debatit publik, edhe ndaj debatit politik, por sidomos është i ndjeshëm ndaj kërkesave të kohës. Dhe kërkesat e kohës kërkojnë që sistemi i drejtësisë të jetë i konformizuar me të gjitha këto që kërkohen nga sistemi i drejtësisë dhe në të gjitha vendet kryesore të Shqipërisë, sepse jemi vërtet para sfidave të rëndësishme, ku politikisht kemi zgjidhur çështjen e integrimit në NATO dhe BE, por në këtë rrugë do të thosha mjaft të rëndësishme, të vështirë, kërkohet realizimi i standardeve”, theksoi Presidenti Topi. Ai tha, se për sistemin e drejtësisë kërkohet një luftë pa kompromis për të rritur standardet, një luftë pa kompromis i ndërtimit ekonomik, krimit ordiner, por dhe kundër çdo simptome të korrupsionit. “Besoj se një nga momentet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë sot, që ka të bëjë me standardet, është pa diskutim përsosja e legjislacionit, që natyrisht bëhet në parlamentin shqiptar. Është çështja e vullnetit politik të partive që domosdoshmërisht e bën kompatibël dhe profesional misionin, kur politika bashkëpunon me profesionistët. Ne dëshirojmë, jo vetëm Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por të gjitha institucionet, së pari duhet filluar nga institucioni prej nga burojnë dy prej institucioneve të tjera, aty ku fillojnë ligjet, që të ketë një bashkëpunim shumë efecient, sepse në një shtet demokratik, në një shtet të së drejtës është jetik bashkëpunimi mes institucioneve”, vijoi më tej kreu i shtetit. Ai bëri apel, duke thënë se: “Ne kemi nevojë që të gjithë së bashku të ndërtojmë institucione të forta, institucione, që nuk shërbejnë thjesht për momentin, por që janë institucione që do t’i shërbejnë perspektivës së një shteti të fortë shqiptar, i cili do të jetë nesër anëtar me të drejta të plota të NATO-s dhe anëtar i familjes së madhe evropiane”. Sipas Presidentit, pavarësia e drejtësisë “është një betejë demokratike, e cila nuk realizohet nga individë të veçantë, përkundrazi duhet krijuar një frymë ku gjykatësi, prokurori, politikani, përfaqësuesi i institucioneve, duhet të jenë konshientë, që kjo është një betejë për demokraci”.
Dibër, KLD shkarkon dy gjyqtarë,shtyhet procedimi për 5 të tjerë
TIRANE – Këshilli i Lartë i Drejtësisë u mblodh paraditen e djeshme në qytetin e Peshkopisë, ku veç të tjerash diskutoi edhe procedimet disiplinore për tetë gjykatës. Në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje ishin përcaktuar të shqyrtoheshin procedimi disiplinor për gjyqtarin e Burrelit Murat Lleshi i kërkuar nga ministri i Drejtësisë, procedimi për gjykatësen e Vlorës Mirela Mishgjoni i urdhëruar nga Gjykata Kushtetuese, si dhe heqja e imunitetit e pezullimi në detyrë i gjykatësit të Burrelit Vesel Bako, i kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme. Tre ditë më parë në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje u vendos, që të shqyrtoheshin edhe procedimet disiplinore për shkarkim nga detyra të tre gjykatësve të Apelit Ushtarak, që i dhanë pafajësi Mihal Delijorgjit, Shaqir Gradica, Ylli Minka e Naum Pejo, si dhe dy gjykatësit e Apelit të Vlorës Alaudin Malaj dhe Meme Rexho. Gradica, Minta dhe Pejo gjykuan si të deleguar në Durrës dhe firmosën pafajësinë për Delijorgjin, duke i shpëtuar një shumë rreth 1 milion euro, që i detyrohej shtetit si dhe i hapën rrugën që pak minuta më vonë të firmoste në Tiranë kontratën për Gërdecin. Kurse Rexho vazhdon të ushtrojë detyrën e Gjykatës në Apelin e Vlorës, ndërsa Malaj prej dy vitesh është transferuar në Apelin e kryeqytetit. Gjatë ditës së djeshme u shqyrtuan vetëm procedimet disiplinore për Mishgjonin dhe Bakon, ndërsa për të tjerët u vendos që të shqyrtohen në Tiranë paraditen e së martës. Ministri i Drejtësisë Alibeaj mbështeti kërkesën e Prokurorisë, për hetime deri në fund ndaj rastit të gjyqtarit Vasil Bako. fa.ma.
Rama: Të tejkalojmë përplasjet
Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, në një intervistë të dhënë tri ditë më parë për BBC, gjatë vizitës së saj në Londër, pranoi se kohët e fundit mes institucionit të drejtuar prej saj dhe Ministrisë së Brendshme e asaj të Drejtësisë, ka pasur përplasje të forta. Megjithatë, kryeprokurorja deklaroi se është e nevojshme, që përplasjet të tejkalohen dhe institucionet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, pasi të ndara nuk arrijnë dot qëllimet e tyre kushtetuese dhe ligjore. Kryeprokurorja ka komentuar edhe iniciativën e deputetëve të maxhorancës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar ndaj saj, duke theksuar se ky është një qëndrim politik dhe ajo mjaftohet me zbatimin e ligjit.
Withers mbështeti Prokurorinë
Ambasadori amerikan në Tiranë John Withers, ka reaguar pas përplasjeve mes Prokurorisë dhe dy ministrive në varësi të Qeverisë. Ai mbështeti punën e organit të akuzës dhe kryeprokuroren Ina Rama, duke theksuar nevojën jetike për një sistem drejtësie të pavarur dhe të pacenuar nga ndërhyrjet e politikës. Sipas diplomatit amerikan, kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar ndaj kryeprokurores është e pa motivuar ligjërisht. Ambasadori theksoi më tej, se mbështet punën e pavarur të Prokurorisë dhe se drejtësia e pa ndikuar është një element thelbësor i demokracisë së një vendi.