E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e 23-a nga 163 vende të botës

24/03/2010 Raporti i fundit i qendrave studimore ndërkombëtare për cilësinë e mjedisit

Qeveria ka nisur reformën për mjedisin, por ka projekte ende të pazbatuara

Në bazë të studimeve serioze në funksion të Indeksit të Performancës Mjedisore (EPI), Shqipëria renditet e 23-a në botë midis 163 vendeve për vitin 2010. Klasifikimi është bërë në bazë të të dhënave të raportuara nga një sërë institucionesh prestigjioze ndërkombëtare, të cilat përmblidhen në një raport të përbashkët nga universitetet “Yale” dhe “Columbia” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga Qendra Ndërkombëtare e Davosit (Zvicër) dhe nga Qendra për Kërkime Mjedisore e Komisionit Evropian në Ispra (Itali). Në këtë klasifikim për Indeksin e Performancës Mjedisore në botë për vitin 2010 (EPI) Shqipëria, e cila në vitin 2006 renditej në vendin e 57-të, në katër vjet ka arritur të renditet në vendin e 23-të. Ajo ka lënë pas 14 vende të Bashkimit Evropian, si Holanda, Danimarka, Spanja, Sllovenia, Luksemburgu, Lituania, ka lënë pas të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, por ka lënë pas edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadanë dhe Australinë. Arritja në një pozicion të tillë të vendit tonë në Indeksin e Performancës Mjedisore vjen si rrjedhojë e masave të marra nga qeveria për përmirësimin e kushteve mjedisore. Për të përmirësuar kushtet mjedisore qeveria shqiptare ka miratuar në fillim të këtij muaji projektligjin “Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja”. Në këtë nismë ligjore theksohet se për zonat e monitorimit të cilësisë së ajrit, ku nivelet e ndotjes janë poshtë vlerave kufi të cilësisë, organet kompetente janë të detyruara të informojnë publikun dhe automatikisht të menaxhojnë këto nivele. Renditja e Shqipërisë në vendin e e 23-të në botë midis 163 vendeve për vitin 2010 vjen edhe si pasojë e programeve dhe projekteve të ndryshme të zbatuara nga qeveria e me financim nga Komuniteti Europian. Por ekzistojnë edhe projekte të tjera të rëndësishme, të cilat nuk kanë gjetur zbatim. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komitetit të Planifikimit të Strategjive, të drejtuar nga kryeministri Sali Berisha, janë marrë në shqyrtim një sërë projektesh të rëndësishme të financuara nga Komisioni Evropian, me qëllim finalizimin e tyre në kohën më të shkurtër të mundshme. Ministria e Integrimit, Departamenti i Koordinimit dhe të Bashkërendimit të Strategjive dhe ndihmës së huaj, kanë veçuar projekte të cilat prej shumë vitesh presin zbatimin konkret. Shefi i ekzekutivit ka bërë me dije se për shkak të kompleksitetit në disa raste është i nevojshëm një qëndrim i ri ndaj projekteve në fjalë. Projektet e evidentuara datojnë që prej vitit 2002 dhe 2003. Kreu i qeverisë theksoi se në ndonjë rast mund të ketë nevojë për ndryshim të mbikëqyrjes së projektit.

Vlerësimi

Renditja në vendin e 23-të midis 163 vendeve të botës për Indeksin e Performancës Mjedisore (EPI) për këtë vit u mundësua duke marrë në konsideratë të dhënat e raportuara nga raporti i përbashkët i universitetit “Yale” dhe “Columbia” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga Qendra Ndërkombëtare e Davosit (Zvicër) dhe nga Qendra për Kërkime Mjedisore e Komisionit Evropian në Ispra (Itali).

Reforma

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një reformë të thellë në fushën e mjedisit. Ruajtja e mjedisit është një ndër kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë për të arritur standardet e kërkuara për integrimin në Bashkimin Europian. Projektligji “Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja”, i miratuar në mbledhjen e qeverisë së datës 3 mars 2010, synon të zbatojë pikërisht një ndër standardet më të domosdoshme europiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›