Shqipëria e 45-ta në FIFA, humb 7 pozicione
Kombëtarja ka zbritur në rënie të lirë sa i përket renditjes së FIFA-s. Nga vendi i 38-të që ndodhej një muaj më parë, Shqipëria tashmë ka rënë e 45-ta në rang listën botërore. Pavarësisht fitores në miqësoren me Armeninë në “Qemal Stafa”, kanë ndikuar shumë dy humbjet e fundit, aq më tepër që kanë qenë me rivalë direkt. Nëse Sllovenia renditej e 45-ta, me fitoren kundër nesh dhe fitoren kundër Qipros në transfertë ka fituar plot 16 vende dhe tani renditet e 29-ta. Një ngjitje si me ashensor ka pësuar edhe kundërshtari tjetër i grupit E, Islanda, që me barazimin në Zvicër dhe fitoren ndaj nesh, është ngjitur plot 16 vende dhe renditet e 56-ta. Norvegjia ka humbur 14 pozicione dhe renditet e 39-ta, ndërsa Zvicra ka fituar nje pozicionin, renditet në vend të 14-të. Pak a shumë në këtë pozicion, më saktë në vendin e 48-të Shqipëria ka qenë në muajin prill, por rezultatet e mira pozitive rresht që nga marsi deri në shtator na çuan deri në vend të 37-të, që është rekordi, ndërsa tani duket se jemi rikthyer në origjinë. Në tetor Shqipëria do të luajë dy ndeshjet e fundit eliminatore të Botërorit, ndaj Zvicrës në Tiranë dhe me Qipron në transfertë. Vetëm në rast të dy fitoreve mund të rifitonim disa pozicione në renditjen e FIFA-s, por duket se rikuperimi më i madh pritet tani vitin tjetër. Shtatori ka rezultuar muaj i mallkuar për kuqezinjtë, të cilët tani duket se do t’ia nisin nga e para...(E.Ilnica/balkanweb)