Britania e Madhe konfirmon mbështetje për reformat dhe integrimin e Shqipërisë

“Mbretëria e Bashkuar do të japë një mbështetje të fortë për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe programin e reformave që do sigurojnë të ardhmen evropiane të vendit”. Kështu u shpreh dje ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona McIlwham, në një takim me kryeministrin Sali Berisha dhe anëtarët e kabinetit të ri qeveritar.
Ambasadorja britanike McIlwham i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për reformat integruese dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë. Fiona McIlwham nënvizoi se Britania e Madhe mbështet Shqipërinë në reformat drejt Bashkimit Evropian.
“Mbretëria e Bashkuar do të japë një mbështetje të fortë për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe programin e reformave që do sigurojnë të ardhmen evropiane të vendit”, u shpreh Ambasadorja britanike Fiona McIlwham.
Edhe në mesazhin e urimit për Kryeministrin Sali Berisha, Kryeministri Gordon Brown nënvizon se “ky është një moment jetik për Shqipërinë, si shteti më i ri anëtar i NATO-s dhe kërkues për statusin e vendit kandidat në BE”.
“Do jetë me rëndësi që qeveria juaj e re të demonstrojë menjëherë angazhimin për programin gjithë-përfshirës të Shqipërisë dhe shpresoj se qeveria juaj do kryesojë përpjekjet për përfshirjen e të gjitha palëve dhe partive politike në dialogun politik dhe veprimet për stimulimin e reformave”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Broën.
Kryeministri Gordon Brown theksoi gjithashtu se “reforma e gjyqësorit dhe progresi i qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit janë tanimë përparësi urgjente nëse Shqipëria kërkon të përmbushë standardet evropiane”.
“Shpresoj të kemi progres real në të dy fushat”, tha ai.
Ndërsa, ambasada Britanike në Tiranë thekson gjithashtu se “ministrat britanikë kanë nënvizuar bashkëpunimin e fortë ekzistues në luftën kundër krimit të organizuar dhe reformën e gjyqësorit, si fusha ku ata shpresojnë të shohin vëmendje të shtuar”.
Në këtë drejtim, Ambasada veçon mesazhin e Sekretarit të Jashtëm, David Miliband drejtuar Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta ku nënvizohet “roli ndihmues dhe konstruktiv i Shqipërisë në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor, sidomos në Kosovë”.
...