“Shqipëria, e barabartë me Greqinë dhe Italinë”
Gazsjellësi TAP, ekspertët e ERE
Shqipëria është partner me pozita të barabarta me Greqinë dhe Italinë në projektin e gazsjellësit TransAdriatik TAP. Deklarata bëhet nga ekspertët e Entit Rregullator të Energjisë, ndërkohë që një ditë më parë në Romë, ministri i jashtëm grek Dimitris Avramopulos pas takimit me homologun italian Giulio Terzi deklaroi se ky gazsjellës do jetë prioritet kryesor i marrëdhënieve Greqi-Itali por edhe për sa i përket bashkëpunimit me Shqipërinë si partner i tretë në këtë projekt. “Shqipëria është një nga palët, ose një nga vendet nëpërmjet të cilave realizohet ky si projekt dhe ne në të gjitha marrëdhëniet që kemi pasur me rregullatorët respektivë italianë dhe grekë, bashkëpunimi ka qenë korrekt, mbi baza barazie, pavarësisht faktit që Shqipëria nuk është ende një vend i BE. Vendimi që do marrim do jetë i përbashkët për të tre vendet, por ai do reflektojë edhe kushtet specifike të vendit tonë, të Italisë apo Greqisë”, tha anëtari i Bordit të Komisionerëve në ERE, Shkëlqim Bozdo.
Ekspertët e Entit Rregullator të Energjisë shpjegojnë arsyen pse Shqipëria është më e avancuar se dy fqinjët e saj në raport me gazsjellësin TAP.
“Shqipëria ka qenë më e përparuar në marrëdhëniet me TAP, se sa kanë qenë Italia e Greqia. Kjo për shkak se në garën e bërë për korridorin jugor kanë qenë dy projekte konkurrente, TAP dhe Poiseidon. Ky i fundit ishte një projekt ku Italianët dhe Grekët kanë pasur më shumë interesa, ndërsa Shqipëria ka mbështetur TAP-in në mënyrë konsekuente”, tha Bozdo.
Projekti i gazsjellësit TAP parashikon kalimin e gazit nga Azerbajxhani, Turqia, Greqia, Shqipëria e më pas në rrugë detare drejt Italisë, duke i dhënë pavarësi Europës nga Rusia për furnizimin me gaz.
Realizimi i këtij projekti pritet t’i sjellë Shqipërisë një miliardë euro investime. Qeveria është shprehur në mbështetje të gazsjellësit dhe është shprehur se do të bëjë gjithçka që ky projekt të realizohet.