E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria, e interesuar për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe”

SHBA, Ministri i Jashtëm, Ilir Meta takohet me homologun e tij indonezian, Uirajuda

Çështje të bashkëpunimit dypalësh, situata në rajon dhe në veçanti Kosova, kanë qenë në qendër të takimit që zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta zhvilloi me ministrin e Jashtëm të Indonezisë, Hasan Uirajuda gjatë qëndrimit në Nju Jork, në kuadër të Sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në takim u trajtuan kryesisht çështje të bashkëpunimit dypalësh, situata në rajon e në veçanti çështja e Kosovës. Zëvendëskryeministri Meta vuri në dukje rëndësinë që Shqipëria i kushton marrëdhënieve me Indonezinë dhe vlerësoi rolin e këtij vendi në rajon e në organizmat ndërkombëtare.
Ai u shpreh për shtimin e kontakteve midis dy ministrive të jashtme në të gjitha nivelet si dhe kompletimin e kuadrit ligjor të bashkëpunimit reciprok.
Lidhur me çështjen e Kosovës, Meta tha se, “pavarësimi i Kosovës është një fakt dhe proces i pakthyeshëm i cili ka ndikuar mjaft pozitivisht në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Duke respektuar qëndrimin e palës indoneziane për çështjen e Kosovës, ky realitet të njihej e reflektohej edhe në politikat e qeverisë indoneziane”.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Meta mori pjesë gjithashtu në disa veprimtari shumëpalëshe si Takimi Ndërkombëtar mbi Partneritetin për Sigurimin e Ushqimit dhe Takimi Vjetor i Miqve të Aleancës së Civilizimeve.
Në fjalën e tij në Forumin e Aleancës së Civilizimeve, Meta theksoi se, “puna e bërë nga qeveria shqiptare në kuadrin e realizimit të synimeve të Aleancës, angazhimin e qeverisë së re për të vazhduar më tej në këtë drejtim”.
Ministri Meta mori pjesë në një takim me përfaqësues të diasporës që kanë dhënë kontributin e tyre kulturor, social e ekonomik në shoqërinë amerikane.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›