E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita në Kuvend, e rëndësishme për reformat dhe ligjet

Mungesa e opozitës në parlament, mban peng miratimin e ligjit “Për Gjykatat Administrative”

Bojkotimi i punimeve të Kuvendit nga pala opozitare, kryesisht nga Partia Socialiste, bllokon reformat e rëndësishme parlamentare dhe vënien e ligjeve të rëndësishme. Një nga ligjet e shumë diskutuara dhe i iniciuar që nga parlamenti i kaluar, është ai “Për Gjykatat Administrative”, por edhe pse prej 3 javësh kanë startuar punimet e parlamentit të ri, të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, ky ligj vazhdon të mbetet në sirtarët e kuvendit, në pritje të rikthimit të opozitës në Kuvend.
Në këtë kuadër, deputeti i Partisë Demokratike, Eduart Halimi, u shpreh dje se prezenca e opozitës në parlament, është e domosdoshme për miratimin e ligjeve të rëndësishme. “Marrja pjesë e opozitës në seancat plenare, gjykoj se është një domosdoshmëri pasi për ligje të caktuara janë të nevojshme 84 vota. Në rastin konkret, ligji “Për Gjykatat Administrative”, kërkon edhe mbështetjen e opozitës, ne si mazhorancë kemi vetëm 74 vota”, u shpreh ai.
Përsa u takon hapave procedurale, deputeti i mazhorancës Eduart Halimi u shpreh se ato duan kohën e vet, por e rëndësishme është miratimi i shpejtë i këtij ligji, por kjo është e pamundur pa prezencën e opozitës.   
Ligji “Për Gjykatat Administrative”, konsiderohet si mjaft i domosdoshëm për të mbrojtur të drejtat dhe interesat ligjore të shtetasve shqiptarë lidhur me çështjes administrative.
Pak kohë më parë, përfaqësues të biznesit në vend kanë kërkuar me ngulm që parlamenti i ri, i dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, të miratojë sa më shpejt projektligjin “Për Gjykatën Administrative”.
P/ligji Për Gjykatat Administrative ka për qëllim të krijojë një sistem që do të shërbejë si mekanizëm për të mbrojtur të drejtat dhe interesat ligjore të të gjithë shtetasve shqiptarë lidhur me çështjet administrative, përmes një procesi të rregullt e korrekt dhe brenda afateve të arsyeshme.
Përfaqësuesit e biznesit bëjnë më dije se krijimi i një sistemi efikas të Gjykatave Administrative do të shërbejë si një shtysë e fortë për përmirësimin e shërbimeve të administratës publike.
Në projektligj parashikohet edhe shkurtimi i kohës për gjykimin e çështjeve administrative nga 130 ditë në gjykatën e shkallës së parë në një maksimum prej 60 ditësh, si dhe shkurton në 10 ditë kohën për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Administrative.
Në një moment të mirë për opozitën, me rastin e rikthimit të saj në kuvend, projektligji për Gjykatën Administrative, duhet të jetë në krye të axhendës parlamentare, për shkak të rëndësisë që ka në vetvete dhe kuorumit të nevojshëm të votave që kërkon, plot 84.
Ndaj edhe, është momenti që opozita të distancohet nga pretendimet personale të Edi Ramës dhe të ulet në karriget e kuvendit, për t’i shërbyer reformave dhe realizimit të tyre.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›