Shqipëria e kurdisjeve

Imazhi i futbollit të Shqipërisë nëpër botë po vazhdon të njolloset secilën herë e më shumë. Superliga shqiptare tashmë është futur në listën e zezë të UEFA-s, pasi dyshohet për kurdisjeve të rezultateve të ndeshjeve.
Pas raportit të dërguar në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) në fundin e vitit 2011 me 13 ndeshje të dyshuara si të kurdisura, 12 prej të cilave të edicionit të kaluar, UEFA ka vazhduar korrespondencën me FSHF-në rreth plagës që ka goditur futbollin evropian dhe botëror.
Sipas medieve shqiptare, UEFA të martën ka dërguar edhe një raport tjetër në FSHF, ku dyshohet se të gjitha skuadrat e Superligës së Shqipërisë janë të përfshira në kurdisje të ndeshjeve gjatë këtij sezoni.
Gjithnjë sipas këtyre medieve, pjesa më e madhe e ndeshjeve të dyshuara si të kurdisura u takojnë garave të Kupës së Shqipërisë, për të cilin trofe ekipet e elitës nuk zgjojnë edhe aq interesim.
Pasi mori këtë dosje, FSHF ka reaguar menjëherë. Komiteti Ekzekutiv i saj ka miratuar krijimin e Komisionit të Etikës. Miratimi për ngritjen e këtij komisioni dhe anëtarët e tij do të përcaktohen në Asamblenë e muajit shkurt, që do të zhvillohet në Shkodër.
Komisioni i Etikës, i cili do të funksionojë duke u bazuar te një rregullore e posaçme, do të shqyrtojë përfshirjen e lojtarëve, drejtuesve të klubeve, trajnerëve e zyrtarëve në kurdisjen eventuale të rezultateve. Ndërkohë, deri në ngritjen e këtij komisioni, ndeshjet e dyshuara do t’i kalojnë për hetim Komisionit Disiplinor të FSHF-së.