Mbreti i Italisë

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviç është votuar si futbollisti më i mirë në Itali për vitin 2011, në çmimet ‘Oscar del Calcio’, të cilat u dhanë të hënën mbrëma në qytetin e Milanos. Shpërblimet e parvjetshme zgjedhin lojtarin, trajnerin, klubin dhe gjyqtarin më të mirë të vitit.
Ylli suedez u votua si lojtari më i mirë dhe lojtari më i mirë i huaj në Itali. Ish futbollisti i Malmos, i Ajaxit, i Juventusit, i Interit dhe i Barcelonës, Italinë e konsideron si shtëpinë e tij të dytë, ndërsa ka folur edhe për objektivat për vitin 2012 në kampionatin italian.
“Juventusi është i pari, por të shohim se si do të përfundojë. Do të ishte më mirë të ishte edhe një skuadër tjetër për titull, kështu që nuk do të kishim kohë për relaksim”, deklaroi Ibra pasi e mori çmimin e më të mirit.
Prapa tij u renditën Antonio di Natale dhe Edinson Cavani i Napolit. Sulmuesi i Udineses e synon titullin e tretë të golashënuesit këtë sezon, por edhe një vend në Evropian. “Ende nuk i kam rezervuar pushimet. Nëse do të ishte mundësia të shkoja në Evropian, do të ishte një nder për mua”, theksoi Di Natale.
Klubi më i mirë është zgjedhur Udinese, pas rezultateve të jashtëzakonshme të arritura në vitin që shkoi, kurse portieri më i mirë ishte Samir Handanovic, po ashtu nga ky ekip.
Mbrojtësi më i mirë u zgjodh braziliani i Milanit, Thiago Silva, kurse lojtari më i mirë në Serie B ishte Stephen el Shaarawy, i cili tash mbron ngjyrat Rossonere.
Trajneri Massimiliano Allegri, i cili e drejton Milanin, u zgjodh trajneri më i mirë i vitit, pasi që e ndihmoi ekipin e tij ta fitonte titullin e kampionit pas një pritjeje të gjatë. Nicola Rizzoli ishte gjyqtari më i mirë i vitit në Serie A.
Selektori i Anglisë, Fabio Capello, mori mirënjohje speciale për kritikat që dha gjatë vitit. “Po shihet se në shpërblime ka më shumë të huaj se italianë, andaj duhet punuar më shumë në sektorin me të rinj”, ka thënë ish trajneri i Juventusit dhe i Milanit. Me mirënjohje të karrierës u shpërblyen edhe veteranët e futbollit italian Fabio Cannavaro dhe Alessandro del Piero.
Ekipi më i mirë i vitit në Itali:
Portier: Handanovic; Mbrojtës: Maggio, Thiago Silva, Ranocchia/Nesta, Armero
Mesfushorë: Hamsik, Marchisio/Thiago Motta, Boateng; Sulmues: Ibrahimovic, Cavani, Di Natale.