E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria e re fiton, por nuk bind



Shqipëria fitoi me rezultat minimal 1-0 ndaj Andorrës modeste, në takimin e tretë historik midis dy vendeve dhe të parin të zhvilluar në Shqipëri. Një ndeshje e dominuar totalisht nga Kombëtarja jonë, por me vetëm një gol të realizuar një minutë përpara përfundimit të kohës së rregullt nga “Gerd Myleri” shqiptar, Hamdi Salihi. Goli i tij katërt me Kombëtaren dhe i dyti rresht pas atij në fitoren 1-0 kundër Malit të Zi. Goli i Salihit është njëherësh edhe goli i katërt i Shqipërisë në tri ndeshje kundër Andorrës (2 gola të pësuar). E udhëzuar nga trajneri Kuzhe për të zhvilluar një lojë ofensive, i gjithë takimi ishte një dialog i gjatë i sulmit të Shqipërisë me mbrojtjen e ngjeshur të Andorrës modeste (vendi i 185-të në FIFA). Gjithesi, rasti i parë mbërriti në minutën e 16-të, kur kapiteni Ervin Skela lëshoi një top për Hamdi Salihin, sulmuesi shkodran goditi me të majtën nga një distancë prej 17 metrash, por sfera përfundoi në duart e portierit andorrian Gomezh. Endri Vrapi shënoi një gol në minutën e 21-të, por anësori maqedonas e konsideroi të parregullt rrjetën me kokë të mbrojtësit të Besës.
Në minutën e 30-të, fantazisti Hyka ndërmori një sllallom midis tre mbrojtësve kundërshtarë, mesfushori i Mainc 05 u pengua në zonë, por gjyqtari nuk denjoi të akordonte 11-metërsh. Pesë minuta përpara përfundimit të pjesës së parë, Ansi Agolli ekzekutoi bukur një goditje të lirë nga e majta, por Gomezh grushtoi duke shmangur rrezikun në portën e tij. Kristi Vangjeli harkoi nga e majta e sulmit tonë një top në zonë dhe Hamdi Salihi, i gjendur në kohën e duhur dhe në vendin e duhur shënoi një gol tipik të tij në minutën e 44-t, duke e çuar Shqipërinë në dhomën e zhveshjes me avantazhin e një goli. Ky ishte goli i tij i dytë në dy ndeshje, përfshirë dhe atë të shënuar në fitoren 1-0 kundër Malit të Zi, më 25 maj, në Podgoricë. Goli i parë i Hamdi Salihit është shënuar pikërisht në një tjetër miqësore, në atë Shqipëri-Maltë (3-0), në vitin 2008. Ndërkohë që goli i tij i parë zyrtar është realizuar në humbjen 4-1 me Suedinë, në ndeshjen e fundit eliminatore të Kampionatit Botëror. Për sulmuesin shkodran, katër gola me përfaqësuesen. Ishte sërish Salihi, ai që pati rastin për të dyfishuar me kokë, por shkodrani nuk ia doli në minutën e 48-të ta çonte sferën në rrjetën e Andorrës. Sulmuesi i Rapidit të Vjenës u vendos sërish para portës, por goditja e tj më kokë në minutën e 51-të ishte e gabuar. Goditja e parë e Andorrës në portën e Shqipërisë u kronometrua në minutën e 60-të, por pa asnjë rrezik për të “papunin” Isli Hidi. Në të 63’, kapiteni Skela harkoi një top në zonë, sfera mbërriti te Salihi, i cili në kërcim e sipër i ofroi zëvendësuesit Elis Bakaj, ky u fundit në një pozicion të favorshëm nuk arriti të shënojë nga një distancë e afërt, duke i mohuar vetes golin e parë me fanellën e madhe të Shqipërisë.
Trajneri Kuzhe i dha mundësinë edhe sulmuesit të Zorja Luganskit, Parid Xhihani, në ndeshjen e tij të parë historike me përfaqësuesen A. Pak minuta dhe për mbrojtësin e Tiranës, Ditmar Bici. Me suksesin ndaj Andorrës, Kombëtarja jonë regjistroi fitoren e tretë rresht në miqësoren e vitit 2010, ndërkohë që Shqipëria nuk humbet prej tetë miqësore ndërkombëtare, nga 25 maji i vitit 2008 (Poloni-Shqipëri, 1-0). Edhe një statistikë për trajnerin Josip Kuzhe: 6 ndeshje miqësore, 4 fitore dhe 2 barazime. Duke përfshirë dhe tri ndeshjet zyrtare (1 barazim dhe 2 humbje), aventura e kroatit në krye të Kombëtares është për t’u pasur zili nga ish-trajnerët e kombëtares.

TRI NDESHJET KUNDËR ANDORRËS

Ndeshja e së mërkurës (2 qershor) ishte ballafaqimi i tretë i Shqipërisë me Andorrën. Sfida e parë historike me Andorrën daton në vitin 2000, më saktë, më 6 shkurt të vitit 2000, kur Shqipëria fitoi 3-0 në ndeshjen e zhvilluar në Maltë, në kuadër të turneut “Rothmans Cup”, falë golave të realizuar Edmond Dalipi, Rudi Vata dhe Roland Zajmi. Skuadra jonë drejtohej asokohe nga Mehdin Zhega dhe u bë fituese e turneut, teksa fitoi edhe me Azerbajxhanin (1-0, gol i Edvin Muratit) dhe Maltës (1-0, gol i Vioresin Sinanit). Në takimin e vitit 2002, në fitoren 2-0 të Andorrës në stadiumin “Andorra La Vella”, golat mbajnë firmat e Gonzalesit (p) dhe Jimenezit, ndërsas në stolin e Shqipërisë ishte Sulejman Demollari. Në ndeshjen e tretë miqësore, Shqipëria e drejtuar nga kroati Josip Kuzhe fitoi 1-0 në “Qemal Stafa”, falë një goli të Hamdi Salihit.

PRECEDENTET

06.02.2000, Valeta
Shqipëri-Andorrë 3-0
Trajner: Mehdin Zhega
Golat: Edmond Dalipi, Rudi Vata, Roland Zajmi

17.04.2002, Andorrë
Andorrë-Shqipëri 2-0
Trajner: Sulejman Demollari

02.06.2010, Tiranë
Shqipëri-Andorrë 1-0
Trajner: Josip Kuzhe
Golat: Hamdi Salihi

Një minutë heshtje për Idrizaj

Shqipëri-Andorra, ndeshje e tretë miqësore midis dy vendeve, nisi me një minutë heshtje në kujtim të ish-futbollistit kosovar, Besian Idrizaj, të ndarë nga jeta pak ditë më parë pas një infarkti kardiak në shtëpinë e tij në Austri. Idrizaj kishte shprehur dëshirën për të veshur fanellën e Kombëtares shqiptare dhe FSHF-ja e nderoi me një minutë heshtje në tempullin e përfaqësueses, stadiumin “Qemal Stafa”.

3 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›