Pranë Karaburunit një anije e mbytur e kohës së luftës
alma mile
Funddetet shqiptare, kanë filluar të nxjerrin të mbyturit e tyre. Vetëm pak ditë më parë, specialistët e arkeologjisë nënujore kanë rënë në gjurmë të një objekti gjigand, një tjetër dëshmi historike. Ekspedita shqiptaro–amerikane e kërkimeve nënujore, e cila prej katër vitesh eksploron në ujërat shqiptare, njofton mbi zbulimin e radhës, i cili këtë herë është shumë pranë gadishullit të Karaburunit. Bëhet fjalë për një anije të përmasave të mëdha, në gjatësinë prej 140-145 metrash, e cila deri më tani është anija më e madhe e zbuluar prej kësaj ekspedite. Anija mendohet t’i përkasë periudhës midis dy luftërave botërore dhe duhet të ketë qenë një anije transportuese, e përdorur nga marina luftarake e një prej fuqive ndërluftuese, të cilat lundronin përgjatë bregdetit shqiptar.
Sipas të dhënave paraprake nga stafi i ekspeditës, anija, e cila gjendet në një thellësi mbi 80 metra, është e goditur nga dy silurë në bash dhe në kiç, duke krijuar idenë se kjo anije është e goditur gjatë periudhës së Luftës.
Arkeologët e ekspeditës shqiptaro –amerikane, duke parë të dhënat teknike të anijes si dhe vendndodhjen e reliktit të mbytur, mendojnë se anija e sapo gjetur mund të jetë një prej anijeve të Marinës Italiane, e cila u godit nga nëndetëset angleze, në 14 qershor të vitit 1943, në orën 14.10 të pasdites. Nëse kjo e dhënë do të përputhet me studimin e mëtejshëm të këtij relikti arkeologjik, atëherë mund të thuhet se kjo ekspeditë mund të ketë zbuluar vendndodhjen e anijes italiane “Rosandra”.
Anija “Rosandra”, me kapacitet mbi 8 mijë ton, e Marinës Italiane dhe e ndërtuar në kantierin e Triestes më 1921, rezulton e mbytur nga nëndetëset britanike në 14 qershor 1943 në një lundrim që rezultoi fatal nga Porti i Vlorës, për në portin grek të Patras, ku transportonte materiale të ndryshme për ushtrinë italiane.
Nëse anija e zbuluar nga ekipi shqiptaro-amerikan, rezulton të jete “Rosandra”, atëherë kemi një koincidence mjaft interesante, pasi zbulimi u bë vetëm 3 ditë larg përvjetorit të mbytjes së saj. Ekspedita e drejtuar nga Dr. Jef Royal për palën amerikane dhe Dr. Adrian Anastasi nga Instituti i Arkeologjisë dhe i financuar nga RPM Nautical Foundation, një prej fondacioneve të njohura amerikane në këtë fushë, mendojnë se ky zbulim i rëndësishëm tregon edhe një herë për vlerat e mëdha që fshihen në thellësitë e deteve shqiptare. Ky zbulim do të sjellë një interes mjaft të madh për specialistët dhe historianët e kësaj periudhe, të cilët mund të hedhin dritë më shumë mbi fatin e kësaj anijeje italiane, mbytur gjatë periudhës, kur ushtria italiane do të kapitullonte në frontin e luftës botërore. “Rosandra” (gjithnjë nëse është ajo) është një nga zbulimet e radhës të ekspeditës shqiptaro-amerikane, e cila deri më tani ka rënë në gjurmë të disa objekteve të përmasave të mëdha, në ujërat e Jonit. Kanë dalë në dritë mbetjet e anijeve tregtare të periudhave bizantine, që flasin për marrëdhëniet tregtare mes vendeve të Mesdheut, ndërkohë që një nga zbulimet më të bujshme ka qenë ai i anijeve të Flotës Britanike, anijeve HMS Suamarez dhe HMS Volage, mbytja e të cilave në 22 tetor 1946, shkaktoi konfliktin e Kanalit të Korfuzit. Vendndodhja e tyre, largësia nga bregu shqiptar, hedh dritë mbi ngjarjet e shumë viteve më parë, që vunë në krizë marrëdhëniet mes vendit tonë dhe Britanisë së Madhe. Zbulimi nga kjo ekspeditë rihapi edhe njëherë debatin mbi këtë ngjarje, duke angazhuar historianë, e specialistë të fushës. Ky operacion zbulimesh ka ngjallur një interes të madh, jo vetëm tek arkeologët e historianët, por edhe tek turistët e huaj. Tanimë është në hartën e vendeve më tërheqëse për pasuritë nënujore.