E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapelo: “Nuk jam i shqetësuar”



Fabio Kapelo, trajneri i Anglisë, edhe pse skuadra e tij dështoi për të marrë fitoren ndaj Shteteve të Bashkuara (1-1), qëndron optimist për vazhdimësinë e kompeticionit. “Nuk jam i shqetësuar”, - tha Kapelo për gazetarët. “Bëmë një ndeshje të mirë, gjendja shpirtërore dhe kondicioni fizik i lojtarëve janë të mira. Patëm shatë apo tetë raste. Bëmë një futboll të mirë”.
Përsa u përket polemikave të shpërthyera në Angli, në lidhje me hedhjen në fushë si titullar të portierit Robert Grenn dhe qendërmbrojtësit, Ledley King, italiani u justifikua. “Unë nuk kam bërë asnjë gabim”, - shpjegoi “Don” Kapelo. “Portierët mund të bëjnë gabime. Kjo është pjesë e futbollit. Duhet pranuar. Do të diskutoj me të se çfarë duhet të bëj”. Nëse trajneri nuk ka vendosur akoma se çfarë do të bëjë me portierin Green, rasti i Ledley King, i dalë nga loja për shkak të një dëmtimi, duket se ka marrë fund, pasi lojtari ka të ngjarë t’i japë fund Botërorit.

Ziani: “Pësuam një gol m..i!”

I zhgënjyer nga “skenari” i ndeshje përballë Sllovenisë (-01), mesfushori algjerian Karim Ziani u shpreh shumë i mërzitur para mediave. “Ata (sllovenet) nuk patën veçse një rast dhe shënuan një gol m..i”, - tha Ziani për gazetën franceze “L’Equipe”.
Përballë sllovenëve jo shumë ofensive, algjerianët megjithatë nuk kishin shumë iniciativë. “Nuk kishim përballë Brazilin, por një ekip çfarëdo. Duhej të mbroheshim dhe të sulmonim shumë shpejt”, - shpjegoi lojtari i Volfsburgut.

Higuain: “Jam në borxh me... golin”

Sulmuesi i Argjentinës, Gonzalo Higuain, nuk e fshehu hidhërimin pas paraqitjes jo në nivel kundër Nigerisë (1-0), ku në më shumë se një rast kishte mundësi të shënonte. Sulmuesi i Real Madrid, i cili kishte fituar në distancë duelin me Diego Militon për një vend titullari, bëri autokritikë para medias, duke premtuar gol kundër Koresë së Jugut. “Një sulmues jeton me golat, dhe këtë e shoh si një deficit të cilin duhet ta plotësoj në ndeshjen e ardhshme”, - tha Higuain. “Jam shumë i zhgënjyer pasi nuk shënova, por më e keqja do të ishte nëse nuk do të kisha raste. Jam duke e jetuar Kupën e Botës në një ekip të madh dhe duhet të përfitoj nga kjo. Shpresoj që Maradona të më besoj sërish e të shënoj ndeshjen e ardhshme”.

15 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›