E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria energjetike”

Tiranë (Start)- Qeveria do të japë me koncesion të tjera resurse hidrike, për prodhimin e energjisë. Gjatë mbledhje së radhës së Këshillit të Ministrave, kryetari i këtij këshilli Sali Berisha tha se qeveria kishte ambicie për të shndërruar Shqipërinë në një superfuqi të vogël energjike. Duket se premtimi i kryeministrit, është më shumë hiperbolik, në një kohë që në shumë fshatra të vendit, ende ka mungesë energjie për më shumë se pesë orë në ditë.

"Janë një seri ofertash shumë të rëndësishme për kaskadën e Vjosës, e cila do të kalojë në tender ndërkombëtar. Është marrë një kompani konsulente e veçantë e cila po përgatit termat e këtij tenderi. Po shqyrtohet Skavica (fshat në Kukës) në mënyrë që të harmonizohet dhe të optimalizohet prodhimi më i madh me mbytje më të paktë", deklaroi Berisha.

Berisha tha se "Qeveria do t’i ofrojë Skavicën atij konsorciumi ose asaj kompanie e cila do të ketë projektin e prodhimit më të madh me përmbytje më të vogël".

"Qeveria do të vazhdojë me koncensione, por mbi baza të plota të një transparence të plotë. Këto janë projekte të mëdha që shkojmë nga 500 milionë në 1 miliard euro", tha Kryeministri Berisha.

Në përfundim, ai informoi se në mbledhjen e sotme do të merret në shqyrtim edhe vendimi për financimin nga Banka Islamike të ujësjellës-kanalizimeve të Orikumit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›