“Shqipëria është sot një ndër vendet që po zhvillohet me shpejtësinë më të madhe në kontinent”
Kryeministri Berisha takon Zëvendëssekretaren e Përgjithshme të OKB-së, Dr. Asha- Rose Migiro
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me Zëvendëssekretaren e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Dr. Asha- Rose Migiro. Kreu i qeverisë e falënderoi znj. Migiro për bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Organizatës se Kombeve te Bashkuara dhe agjencive te saj, duke vlerësuar veçanërisht, në këtë kontekst, zgjedhjen e Shqipërisë, si vendi pilot për programin “Një OKB”. Duke u ndalur në zhvillimet në vend, gjatë viteve te fundit, znj. Migiro vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme dhe hovin e madh të progresit, që qeveria shqiptare dhe vendi ka shënuar gjatë këtyre viteve, si në fushën politike e institucionale ashtu edhe përsa i përket zhvillimit ekonomik dhe social.
Përfaqësuesja e OKB-së Migiro vlerësoi se Shqipëria është sot, një ndër vendet që po zhvillohet me shpejtësi të madhe, duke përgëzuar Kryeministrin Berisha dhe qeverinë shqiptare për kapërcimin ne grupin e vendeve me të ardhura mesatare.
“Ky është një hov i jashtëzakonshëm, theksoi zonja Migiro, ka arritje dhe progres të madh në shume aspekte në Shqipëri, nga të cilat vendet e tjera mund të nxjerrin mësime dhe të marrin shembull”.
Nisur nga bashkëpunimi i Shqipërisë me OKB-në, Migiro vlerësoi rezultatet e larta të arritura, në kuadër të programit “Një OKB” për sa i përket realizimit të objektivave të zhvillimit te Mijëvjeçarit, në kuadër te programit Brain Gain, në bashkëpunimin në fushat e arsimit, shëndetësisë, luftës kundër korrupsionit, fushën e teknologjisë se informacionit dhe sigurisë se dokumentacionit, si edhe ne çështjen e barazisë gjinore, luftës kundër diskriminimit dhe përfshirjes sociale.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha i paraqiti znj. Migiro, arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare, në luftën kundër korrupsionit, me vendosjen e sistemit elektronik në prokurime, dogana, tatime, regjistrimit dhe licencimit on-line, etj. Kryeministri e njohu gjithashtu zonjën Migiro, me progresin shumë të rëndësishëm në fushën e arsimit, në atë të penetrimit të internetit në shkolla e në shtëpi, reformat në shëndetësi, për sa i përket reduktimit të vdekshmërisë foshnjore dhe asaj materiale si dhe zhvillimin e eco-turizmit, mjedisit, decentralizimin.
Në takim u rikonfirmua angazhimi i dy palëve për të vazhduar dhe konsoliduar bashkëpunimin në kuadër të hartimit te programit të ri “Një OKB” 2012 - 2016. Kryeministri Berisha, me këtë rast i ripërsëriti znj. Migiro ftesën për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB zotin Ban Ki Moon për të vizituar Shqipërinë.