Socialistët e Edi Ramës, të vetmit kundër vizave
S’ndalet strategjia e baltosjes dhe e errësimit të çfarëdolloj reforme, në përpjekje për të ndalur progresin e vendit drejt BE-së. Aradha e Edvinit po ndjek doracakun e lënë nga nomenklatura komuniste, por brezi i dytë i ish-Bllokut, s’mund të fitojë një betejë të cilën e ka humbur dy herë radhazi, një herë në 1992-in e herën e dytë në 2005-n
Pavarësisht faktit se Shqipëria ndodhet pranë nënshkrimit të një akti historik në tërë hierarkinë e ekzistencës së shtetit dhe 20 viteve të pluralizmit politik, siç është marrëveshja për liberalizimin e vizave, opozita e majtë jo vetëm që ka refuzuar të kontribuojë në këtë proces, por prej kohësh ka kurdisur grupin e falangave, emisarë dhe mercenarë të ndryshëm, për të penguar me çdo kusht lirinë e lëvizjes së shqiptarëve drejt vendeve të BE. Edhe pse, është e kuptueshme që instrumenti opozitar shquhet për politikë të mbrapshtë, kryetari i të cilëve vazhdon të propagandohet si i pa shqetësuar për ndikimin dhe rolin e PS-së në miratimin e reformave dhe kuadrimin e dialogut politik, ka si përgjigje tendencën e qëllimshme për të sabotuar projektin e madh të shqiptarëve. Indici i këtij akti sabotazhi, është plotësisht i lehtë-verifikueshëm jo vetëm te Rama, por ndaj kujtdo nga ngrehina e selisë rozë. Tmerri nga kjo, bën që pinjollët e nomenklaturës komuniste, t’i zërë paniku dhe makthi nga çelja e dyerve për qytetarët shqiptarë drejt Europës Perëndimore.
Agjenturat e kurdisura nga trashëgimtarët e nomenklaturës së regjur moniste janë të prirura vetëm për destabilizim, fraksionim dhe shtypje të sistemit demokratik, ligjor dhe atij të drejtësisë, përmes një intenirari të turpshëm sulmesh politike. Edhe pse, jo shumë larg një vendimi historik për Shqipërinë dhe shqiptarët, Edi Rama s’ka thënë as edhe një fjalë inkurajuese, apo ndërmarrjen e një iniciative parlamentare, përmes një rezolute me vullnet të përbashkët mazhorancë-opozitë, çka do të konfirmonte unitetin politik për interesat kombëtare. Kjo as që diskutohet, por më e keqja në këtë mes është se roli i opozitës është tepër i dyshimtë dhe përbën mirëfillti një intrigë të rrezikshme për të kthyer mbrapsht të gjitha raportet që flasin për progres konkret të Shqipërisë në kuadër të përfitimit të marrëveshjes për liberalizimin e vizave.
Në këtë kuadër, Edi Rama dhe emisarët e politikës së shpifjes, mashtrimit dhe skupit publik, janë demonstruar për ditë e me radhë, investuar për muaj të tërë për të përbaltur atë progres dhe zhvillim pozitiv që autoritetet e Brukselit dhe kancelaritë evropiane në tërësi kanë vlerësuar dhe aprovuar si dokumente jetike dhe të domosdoshme për integrimin evropian.
Opozita e Edi Ramës, nuk do integrimin, as heqjen e vizave dhe as rritjen ekonomike dhe modernizimit të vendit. Nuk do standardizimin evropian të infrastrukturës rrugore, rroga dhe pensione mbi mesataren e BE, vende të reja pune dhe as kthimin e Shqipërisë në një histori të vërtetë suksesi. Opozita nuk kontribuon për qëllime politike, se mos i njihet meritë qeverisjes së djathtë. Opozita nuk kontribuon sepse politikën e saj ditore, afatshkurtër apo afatgjatë e dirigjojnë trashëgimtarët e një prej diktaturave më të egra në historinë e njerëzimit, asaj hoxhiste, të njohur për shovinizmin e thekur dhe izolimin tërësor me botën perëndimore të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Leonard Quku