Shqiptarët po përjetojnë vjeshtën e lëvizjes së lirë
Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur nga qyteti i Kavajës votimin e Komisionit të Jashtëm të BE-së, ndërkohë që ka evidentuar reformat qeveritare që sollën përmbushjen e kushteve të vështira të vendosura nga ekspertët e Brukselit
Një ditë pas vendimit të dhënë nga Komisioni i Jashtëm Europarlamentar për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje nga qyteti i Kavajës ku merrte pjesë në inaugurimin e spitalit të ri se, vjeshta e këtij viti do të shënojë një epokë të re sa i përket lëvizjes së lirë në vendet e unionit. Shefi i ekzekutivit tha se kjo është një ëndërr e kahershme e shqiptarëve për t’u lidhur më pranë me vendet e bllokut evropian.
Sipas kreut të qeverisë vendimi pozitiv i marrë së fundmi nga eurodeputetët parlamentarë të Strasburgut u bë realitet pas përmbushjes se reformave që ka ndërmarrë vendi ynë në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe në mënyrë të veçantë në pajisjen e shtetasve shqiptare me pasaporta biometrike.
“Këtë vjeshtë, qytetarët e Kavajës e të mbarë Shqipërisë do të lëvizin të lirë, pa viza në mbarë hapësirën europiane. Kjo u arrit pasi qeveria çliroi Shqipërinë nga bandat e krimit, bëri të mundur pajisjen e shqiptarëve me pasaporta biometrike, dixhitalizoi 14 mijë regjistra. Me gërshërën e ligjit luftuam korrupsionin, duke dyfishuar të ardhurat”, u shpreh Berisha.
Kryeministri foli për një dinamizëm të theksuar ekonomik të Shqipërisë, çka bën të mundur, tha ai, shëndoshje të stabilitetit ekonomik dhe shtysë në ndërtimin e veprave madhore në infrastrukturë, rritjen e pagave dhe pensioneve si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Kjo vepër e vepra të tjera janë dëshmi e një gjallërie dhe dinamizmi të paparë të ekonomisë shqiptare. Ekonomi, e cila bën të mundur financimin, asfaltimin, ndërtimin gjatë mandatit të dytë të 7 mijë kilometrave rrugë në mbarë vendit, rindërtimin e mbi 1 mijë shkollave dhe të qindra qendrave shëndetësore e spitaleve”, tha kryeministri.
Nga qyteti i Kavajës ku shoqërohej dhe nga ministri i shëndetësisë, Petrit Vasili shefi i qeverisë u ndal dhe tek rritja ekonomike që shënoi vendi ynë këtë vit. Ai e vuri theksin në mënyrë të veçantë tek rritja e eksporteve, pagave e pensioneve, si dhe investimeve publike. Duke hedhur poshtë deklaratat e opozitës për krizë ekonomike, kryeministri Berisha tha se ekzistenca dhe realizimi i këtyre projekteve janë dëshmi e dinamizmit të ekonomisë shqiptare.
Për kryeministrin Berisha, investimet e qeverisë për këtë qytet do të përqendrohen dhe në fushën e turizmit, duke e kthyer këtë zonë në një nga pikat më të frekuentuara për pushuesit vendas e të huaj. Bujqësia mbetet një tjetër prioritet për këtë qytet, që sikundër tha dhe kryeministri Berisha, është nga vendet më të fuqishme të prodhimit bujqësor.