E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengmarrja e autobusit, Rexhepi tentoi Kakavijën

Autori i Lajmit: Redaksia

Të moshuar, gra dhe fëmijë kanë kaluar minuta të tëra në panik dhe frikë pa e ditur se gjithçka do përfundonte fatmirësisht pa të lënduar gjatë pengmarrjes së autobusit të linjës Tiranë-Sarandë.
Ngjarja zë fill në Fratar të Ballshit pak pas mesditës së djeshme, aty ku zakonisht autobusët e linjave të gjata ndalojnë për të pushuar.
Dëshmitë
Sipas pasagjerëve të autobusit me targa
Sarandë 4911 B, autori i identifikuar si Eduard Rexhepi nga Patosi i ka kërkuar drejtuesit të automjetit ti mundësojë udhëtimin deri në Kakavijë. Drejtuesi i autobusit i ka thënë 32-vjeçarit të presë sa të gjithë të mbarojnë drekën ndërsa autori është irrituar duke rrëmbyer çelësat e shoferit, dhe ka nisur autobusin me shpejtësi. Por, ka mjaftuar një gabim, pasi ai i ka dhënë mjetit pa çaktivizuar frenat e dorës dhe autobusi ka nisur të marrë flakë, situatë të cilën pasagjerët e tregojnë të shokuar. Gjatë rrugës autobusi është aksidentuar dhe me një automjet, duke e përplasur në rrezik, drejtuesja e së cilit tregon se e ka ndjekur autobusin derisa ai ndaloi tërësisht. Pasi ka humbur shpresat se nuk kishte asnjë rrugëzgjidhje tjetër, 32-vjeçari Eduard Rexhepi ka braktisur autobusin që kishte marrë flakë dhe është larguar, duke lënë derën hapur. Pasagjerët e mbetur aty brenda kanë përfituar duke dalë nga automjeti dhe duke i shpëtuar flakëve që përfshinë të gjithë mjetin, ndërsa policia arrestoi autorin e kësaj pengmarrje, e cila fatmirësisht zgjati vetëm një segment rrugor prej 20 km në më pak se gjysmë ore. Burime të policisë së Fierit kanë zbardhur së fundi dëshminë e pasagjerëve, autorit dhe shoferit të automjetit.
Pranimi i autorësisë
Policia tregohet e rezervuar për dëshminë e autorit të kësaj ngjarje ndërsa pohon faktin se ai ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Policia konfirmon se Rexhepi nuk ka qenë i armatosur dhe se ai vuante nga probleme mendore. Shoferi i autobusit ka rrëfyer në polici gjithë ngjarjen, kur ai është ballafaquar për herë të parë me pengmarrësin në lokalin në Fratar dhe deri momentin kur ka parë se si 32-vjeçari ka rrëmbyer autobusin dhe ka ecur me ata pasagjerë që ishin brenda tij. Pasagjerët ndërkohë kanë pohuar në Policinë e Fierit se gjatë gjithë rrugës autori i grabitjes së autobusit u thoshte se nuk kishte asgjë me ta dhe qëllimi final ishte që ai të shkonte në Kakavijë.

Ky lajm është publikuar: 21/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›