E Diel, 1 Nëntor 2026

Liberalizimi i vizave KE jep datë për Bosnjen, hesht për Shqipërinë

Autori i Lajmit: Redaksia

Bosnje-Hercegovina tashmë ka një datë për liberalizimin e vizave. Nënkryetari i Këshillit për Bosnjen dhe Shqipërinë është shprehur dje për një media të shkruar se qytetarët boshnjakë do të mund të lëvizin pa viza më 19 dhjetor 2010. Ndërkohë që për Bosnjen ka një datë konkrete, rasti i Shqipërisë nuk është përmendur fare nga Jelko Kacin, duke e lënë edhe një herë në dyshim datën se kur do të liberalizohen vizat për vendin tonë. Deri më tani ka pasur shumë alternativa se kur do të liberalizohen vizat për Shqipërinë, duke dhënë periudha të ndryshme, por duke mbajtur si parim vitin 2010. Por përcaktimi i një date për Bosnjen, në një kohë kur Kacin ka kritikuar edhe politikën atje, tek qytetarët mund të hidhen hije dyshimi se për Shqipërinë është ende herët për të pasur një datë konkrete, duke ngelur vetëm tek premtimi për liberalizim brenda vitit. Ndërkaq, raportuesja për regjimin e liberalizimit të vizave për Ballkanin Perëndimor, Tanja Fajon, tha se për lajmet e para të mira shpreson për më 27 prill nga komiteti për liri qytetare, drejtësi dhe punë të brendshme, i cili duhet të japë vlerësim pozitiv, ndërsa propozimi i KE-së mund të merret deri në fund të muajit maj.
Caktimi i datës
"Vizat për qytetarët e Bosnje-Hercegovinës mund të hiqen më 19 dhjetor të vitit 2010, një vit pasi u hoqën vizat për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë". Kështu është shprehur nënkryetari i Këshillit për Shqipërinë, Bosnje-Herecegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin. "Mendoj se kjo do të ndodhë më 19 dhjetor të vitit 2010",- deklaroi ai për një gazetë të pavarur dhe shtoi se "është krejtësisht i sigurt pushteti aktual në BeH nuk do të mund të lavdërohet për këtë". Këtë vlerësim ai e argumentoi me propozimin e KE-së për heqjen e vizave për BeH-në, i cili do të arrijë para deputetëve në shtator, më pas mund të ngrihet procedura. Sipas tij, fajtor për vonesën e regjimit të liberalizimit të vizave nuk është BE-ja, por autoritetet në BeH, të cilët "tërë kohën e mandatit e kanë shpenzuar në strategjinë për lëshime minimale për palën e kundërt". Raportuesja për regjimin e liberalizimit të vizave për Ballkanin Perëndimor, Tanja Fajon, tha se për lajmet e para të mira shpreson për më 27 prill nga komiteti për liri qytetare, drejtësi dhe punë të brendshme, i cili duhet të japë vlerësim pozitiv, ndërsa propozimi i KE-së mund të merret deri në fund të muajit maj. "Na duhet vullnet i fuqishëm politik i të dy palëve.... Përveç kësaj është e nevojshme të binden edhe vendet e BE-së se nuk do të përsëritet shkurti i vitit 2010 kur azilantët nga Serbia dhe Maqedonia kërkuan azil",- deklaroi Fajon.
Liberalizimi i vizave
Më herët Kacin është shprehur optimist për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe se në fillim të pranverës do të kishte një datë konkrete. "Teknikisht, ju i përmbushni kushtet, por ku i dihet se kur do të hiqen vizat? Qytetarët shqiptarë duan heqjen e vizave tani. Pra ka dhe një pjesë politike të procesit dhe ne duam ta përshpejtojmë këtë proces. Ne po i kërkojmë Komisionit Evropian dhe Këshillit, të bëjë propozimin jo sa më shpejt të jetë e mundur, por në fillim të pranverës. Fillimi i pranverës është tani, punë orësh",- tha Kacin. Sipas tij, duhet që klima politike në vend të përmirësohet sa më shpejt, pasi "pranvera po vjen. dimri shkoi. Është vërtet momenti që të provohet se, pranvera në Shqipëri do të jetë shumë më premtuese sesa dimri", por edhe pas kësaj deklarate duket se liberalizimi për vizat do të mbetet ende pa datë.

Spindelegger: “Shqiptarët së shpejti do të udhëtojnë pa viza në BE”

Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u prit në një takim pune nga ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Dr. Michael Spindelegger. Gjatë takimit u diskutua rreth marrëdhënieve dypalëshe, procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe veçanërisht lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, si dhe mbi situatën në rajon. Në fjalën e tij, Meta vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Austrisë, të cilat bazohen në një traditë të thellë miqësie dhe bashkëpunimi. Meta theksoi rritjen e investimeve austriake në Shqipëri dhe shprehu vullnetin e Qeverisë Shqiptare për të mirëpritur të tjerë investitorë të rëndësishëm në të ardhmen. Më tej Meta vuri në dukje se Shqipëria sapo ka dorëzuar përgjigjet e Pyetësorit të Komisionit Evropian, për të cilat ka pasur një angazhim të jashtëzakonshëm nga të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces. Gjithashtu, Meta bëri një pasqyrë të arritjeve të Shqipërisë në kuadër të plotësimit të detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, proces që tashmë gjendet në prag të mbylljes me sukses të tij. Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Meta theksoi se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrimet që rrjedhin nga procesi i liberalizimit të vizave, të cilin Shqipëria e meriton në bazë të standardeve të arritura.
Nga ana e tij, Spindelegger vuri në dukje se progresi që ka bërë Shqipëria gjatë kësaj kohe të shkurtër është i dukshëm dhe konkret. Spindelegger vlerësoi se dorëzimi i Pyetësorit është një arritje e madhe dhe është përgatitur në kohë rekord.

Ky lajm është publikuar: 21/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›