E Martë, 3 Nëntor 2026

Shqipëria forcon koordinimin për zbatimin e agjendës së reformave dhe planit të rritjes

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin nr. 252 më 2 maj të këtij viti, i cili përcakton funksionet dhe strukturat përgjegjëse për zbatimin dhe raportimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian në kuadër të Facilitetit për Reforma dhe Rritje (RGF), një instrument kyç i BE-së që mbështet përshpejtimin e reformave dhe procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Agjencia Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës në një njoftim për shtyp theksoi se në qendër të këtij mekanizmi të ri është Koordinatori Kombëtar (KK) për Facilitetin e Reformave dhe Rritjes, i cili është njëkohësisht Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës, si dhe Koordinator Kombëtar i Asistencës së Bashkimit Evropian për Paraanëtarësim (KKIPA).

Përcaktimi i Koordinatorit Kombëtar konsolidon përgjegjësitë për drejtimin, monitorimin dhe raportimin e zbatimit të Agjendës Kombëtare të Reformave 2024–2027 dhe investimeve të planifikuara në kuadër të Facilitetit për Reforma dhe Rritje të Bashkimit Evropian.

Koordinatori Kombëtar do të mbështetet nga një strukturë e dedikuar teknike, e cila do të ngrihet brenda Agjencisë dhe do të bashkëpunojë ngushtësisht me ministritë e linjës, institucionet publike dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar që reformat dhe investimet e planifikuara të zbatohen në kohë, në mënyrë transparente dhe me ndikim të qëndrueshëm në jetën e qytetarëve shqiptarë.

Gjithashtu, ky proces parashikon krijimin e mekanizmave të dedikuara për raportim, kontroll, auditim dhe vizibilitet, për të siguruar që mbështetja e BE-së të administrohet me standarde të larta dhe në përputhje me objektivat e zhvillimit të vendit.

Një Komitet Monitorues, me përfaqësimin e Komisionit Evropian dhe aktorëve të shoqërisë civile e biznesit, do të ndjekë progresin dhe do të sigurojë një proces të mbështetur në dialogun e vazhdueshëm dhe transparent mbi ecurinë e Agjendës së Reformave.

Ky zhvillim i rëndësishëm institucional konfirmon përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë për të përshpejtuar integrimin evropian përmes reformave konkrete dhe menaxhimit efikas të ndihmës së BE-së.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›