Shqipëria heq çmimin referent për pataten kosovare
Shqipëria hoqi barrierat për pataten kosovare pikërisht në ditën kur Qeveria e Kosovës paralajmëroi masa reciprociteti për produktet e saj. Çmimi referent prej 24 centësh, që shteti shqiptar kishte vendosur për pataten kosovare, u hoq të hënën. Tashmë të gjithë prodhuesit e patates që eksportojnë në Shqipëri, do ta kenë çmimin referent prej 14 centësh, ashtu siç kishte qenë edhe më parë.
Me këtë problem prodhuesit kosovarë kishin kohë që ishin duke u përballur. Ata ishin ankuar në institucionet vendore, të cilat kishin marrë vendim që Shqipërisë ti japin afat deri më 2 prill. Në rast se as deri në këtë datë nuk do të ndryshonte asgjë në këtë drejtim, atëherë kishin vendosur të vënë çmime referente për produktet shqiptare.
Çmimi referent për pataten kosovare, e cila eksportohet në Shqipëri, është 14 cent, ashtu siç ka qenë edhe më parë. Në këtë mënyrë, nuk do të ketë masa të reciprocitetit ndaj Shqipërisë. / Gazeta Express