E Diel, 1 Nëntor 2026

Fratini e Kouchner: Shqipëria, shumë afër heqjes së vizave

Shqipërinë e ndajnë vetëm muajt nga përfitimi i heqjes së vizave. Pas Italisë, edhe Franca shprehet në favor të liberalizimit të vizave për Shqipërinë. Në një artikull të publikuar nga La Repubblica dhe Le Monde, ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve janë shprehur në favor të liberalizmit të vizave në zonën Shengen për boshnjakët dhe shqiptarët duke e konsideruar këtë si një hap më tej për stabilizimin e Ballkanit. ''Për të ecur përpara, para së gjithash duhet të shënohet progres për çështjen evropiane. Ky veprim nuk mund të mbetet peng i një politike për sa u përket vizave. Në një kohë të shkurtër kërkojmë që Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina të përfitojnë nga regjimi i liberalizimit të vizave për një afat të shkurtër kohor në hapësirën Shengen, - shkruhet në artikullin që mban firmën e Bernard Kouchner e Franco Frattinit. ''Kërkesat teknike duhet të respektohen sigurisht, por duhet të shmangim që të radikalizohet bindja se myslimanët e Ballkanit do të diskriminohen e do tu mohohen masat, të cilat me të drejtë që nga fundi i vitit i gëzojnë serbët ose malazezët, - thonë dy ministrat, të cilët nënvizojnë se qarkullimi i lirë brenda Bashkimit Evropian mbetet thelbësor për tu lejuar popujve të Ballkanit Perëndimor të ndihen anëtarë me të drejta të plota të familjes së madhe evropiane. Në artikull, Frattini e Kouchner shkruajnë edhe për Serbinë e Kosovën, ku shprehen se kanë të njëjtin angazhim për të hyrë brenda Bashkimit Evropian, por që duhet ende, sipas tyre, të përkufizojnë termat e një koekzistence paqësore. Kjo është një domosdoshmëri e arevokueshme, - shkruhet në artikull. Kush nuk gëzon parimet e fqinjësisë të mirë, nuk mund ti përkasë Unionit, ndaj Italia e Franca ndajnë me bindje të njëjtën qasje në këtë drejtim, - shkruhet në artikullin në fjalë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›