E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria heziton ti japë kodin +355 Kosovës

Ligjvënësit në Kosovë me shumicë votash kanë miratuar projektrezolutën lidhur me përdorimin e tri kodeve të huaja telefonike në Kosovë. Me këtë rezolutë parashihet që Kosova të shfrytëzojë kodin telefonik të Shqipërisë +355 dhe jo atë të Serbisë +381, të Monakos +377 dhe të Sllovenisë +386. Por burime të Kosovapress brenda Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik kanë bërë të ditur se kjo ministri ka kërkuar një gjë të tillë nga organet kompetente shqiptare, por nuk kanë gjetur mirëkuptimin e tyre.

Deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti mendon se shteti shqiptar nuk është shumë e interesuar për këtë çështje dhe e ilustron me faktin se në Shqipëri këto ditë po mbahet një konferencë, ku është prezent edhe ITU-ja (Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit), por institucionet e Kosovës nuk janë ftuar.

Ai madje ka kërkuar nga institucionet e vendit që të shkojnë edhe pa ftesë vetëm që të marrin pjesë dhe të bisedojnë me zyrtarët e ITU-së.

Ndërkohë, burime të Agjencisë Lajmeve Kosovapress brenda Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik bëjnë të ditur se ka pasur konsulta për këtë çështje, por shteti shqiptar nuk ka shprehur gatishmërinë që Kosova të ketë kodin telefonik +355.

I kemi dërguar letër ministrit të Telekomunikacionit qysh vjet, por nuk na ka kthyer kurrfarë përgjigje për këtë çështje, ka thënë burimi.

Ndërkohë, ai që ka propozuar këtë projektrezolutë e që pas një jave u votua me shumicë votash, thotë se duhet të provohen të gjitha mënyrat në të këtë drejtim.

Deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta, në një prononcim për Kosovapress ka thënë se nuk duhet të paragjykohet në lidhje për këtë çështje pa pasur bisedime mes dy qeverive.

Unë konsideroj se paragjykimet që nuk mund të bëhet një gjë e tillë nuk duhet të na privojnë ne nga e drejta për të provuar diçka. Ne e kemi nisur këtë mocion, jemi të bindur që me përpjekje të vazhdueshme të argumentuara ne mund tia arrijmë këtij qëllimi. Negociatat me Republikën e Shqipërisë janë të domosdoshme dhe duhet pëlqim i dyanshëm për këtë çështje dhe pasi të arrihet kjo të provohet edhe me ITU-në që të merret pëlqimi i saj dhe të realizohet kjo në terren, ka theksuar Kuleta.

Deputeti ka thënë se tani varet shumë prej qeverisë së Kosovës sa do të jetë aktive në këtë drejtim.

Për më tepër, ai ka shtuar se deri më tani të dy qeveritë nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap konkret në lidhje më këtë çështje.

Mendoj që ende nuk është testuar ky vullnet sa duhet. Mendoj që duhet të provohet seriozisht kjo çështje. Ne dëgjuam aty në Kuvend se ka më shumë retorikë prej Republikës së Shqipërisë sesa punë konkrete, konsideroj që retorikë ka edhe prej anës tonë shumë. Prandaj ky mocion është një rast i mirë që të dëshmojmë me vepër që jemi të interesuar për këtë çështje dhe pastaj të testojmë se sa është e interesuar dhe serioze Republika e Shqipërisë, por pa e provuar nuk guxojmë të paragjykojmë, ka deklaruar ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›