Shqipëria i heq vizat Tajvanit

Shqipëria tradhton Kinën, duke hequr vizat me Tajvanin dhe duke risjellë në skenë debatin për njohjen e këtij shteti.
Agjencia e lajmeve, “Tajvan Focus”, bën të ditur se “Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje për heqjen e vizave me Tajvanin, duke u bërë vendi i 115 që e bën një gjë të tillë”.
Agjencia pohon se lajmi është dhënë zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), e cila njoftoi në një deklaratë për shtyp që marrëveshja hyn në fuqi.
Një shtetas tajvanez nuk duhet të aplikojë për vizë turistike për të vizituar Shqipërinë dhe koha e qëndrimit të tij është 90 ditë.
Zëdhënësi i kësaj ministrie, James Chang, e konsideroi si shumë të rëndësishme një marrëveshje të tillë, nisur nga fakti se Shqipëria ka një marrëdhënie shumë të ngushtë me Kinën.
Presidenti i Tajvanit, Ma Jing-Zheo, për këtë agjenci lajmesh e ka komentuar me ironi një vendim të tillë, pasi Shqipëria ka qenë një ndër vendet që ka kërkuar nxjerrjen jashtë të këtij shteti si anëtare të OKB-së.
Pikërisht në vitin 1970, Shqipëria kishte bërë kërkesë për të nxjerrë jashtë Tajvanin si anëtare e Organizatës Botërore të Kombeve të Bashkuara.
Kërkesa iu pranua në vitin 1971. Gjithashtu ironia e Presidentit Jing-Zheo qëndron dhe në faktin se qytetarët tajvanezë rrallë dalin jashtë vendit të tyre.