E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shqipëria i përgjigjet konceptit të ri të NATO-s"

Kështu deklaroi sot ministri i Mbrojtjes, Arben Imami në një seancë dëgjimore në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, në të cilin ka dhënë shpjegime edhe zëvendësministrja e Jashtme, Edith Harxhi.

Ministri Imami nënvizoi se koncepti i ri i NATO-s lidhet me ndryshimin e mjedisit strategjik në botë, të cilit i duhet përgjigjur një koncept i ri, në hartimin e të cilit do të marrin pjesë dhe institucionet shqiptare, ku do të paraqesin interesat e tyre kombëtare, që do duhet të përfshihen në të. Ndërkohë, Zv/ministrja , Harxhi, pas mbledhjes së komisionit, theksoi rolin e rëndësishëm që Shqipëria ka në procesin e hartimit të këtij koncepti të ri për sa i takon Ballkanit.

"Qëndrimi ynë ndaj konceptit të ri të NATO-s ka të bëjë me zgjerimin e Aleancës me vendet e Ballkanit Perëndimor. Si një vend i ri anëtar i saj, ajo ka një rol kyç në Ballkan, duke qenë faktor stabiliteti në rajon. Puna në Ballkan për NATO-n nuk ka përfunduar, pasi ajo do të vazhdojë me zgjerimin e mëtejshëm të saj, edhe me vende të tjera, duke përfshirë edhe shtetin më të ri të Kosovës", u shpreh Harxhi.

Në Samitin e fundit të Aleancës, në Strasburg-Kehl në prill të vitit 2009, Këshilli i Atlantikut të Veriut, vendosi që në 2010-n të hartojë konceptin e ri strategjik të NATO-s, nisur nga fakti që mjedisi i sigurisë sot ka ndryshuar dhe nuk është më ai i vitit 1999, kur është miratuar koncepti me të cilin punon aktualisht Aleanca. Për hartimin e konceptit të ri strategjik të NATO-s, i cili pritet të miratohet në Lisbonë në fund të këtij viti, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Anders Fog Rasmusen, ka ngritur një grup ekspertësh, i cili kryesohet nga ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›