E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria ka ndryshuar, zoti M.Nano

“Në lidhje me shkrimin e Mustafa Nanos “Tani e tutje, të gjithë do heqim vallen e Berishës”

Një nëpunës i hijshëm, i sjellshëm, pedant dhe elokuent na pret në pikëkalimin e Morinës. Na përshëndet dhe, pas kontrollit rutinor, na dëshiron mirëseardhje në shtetin me perspektivën më të madhe në Evropë. Ne shikojmë njëri-tjetrin, sepse ishim mësuar që nëpunës të pasjellshëm, të paaftë, arrogant e të pistë të na uronin hyrjen në Shqipëri. Pa pasur kohë as të kalojë në marshin e dytë, vetura jonë humb në hapësirën e zezë të asfaltit të ri që i ka shpuar malet dhe na ka afruar më shumë se kurrë me njëri-tjetrin. Tuneli i Thirrës, vepra më madhështore arkitektonike e Ballkanit na merr në gjirin e vet, duke na dhënë emocione drithëruese neve që kishim provuar rrugën “boliviane” veriore. Mithat Frashëri na thotë se rrugët e dallojnë vendin e qytetëruar nga vendi barbar. Nëse e besojmë këtë, atëherë mund të themi se Shqipëria e Sali Berishës po len mbrapab Shqipërinë primitive të “nanove” dhe po hapëron drejt një qytetërimi evropian.

Para 6 vjetësh kishim bërë 12 orë rrugë për të arritur në Durrës, atëherë një qytet i hirtë dhe depresiv. Përkundër historisë 2600 vjeçare, dyqanet e qytetit mbylleshin me shufra metalike pas orës 9 të mbrëmjes dhe në parkingun e veturave ruante një polic me kallashnikov. Rruga e plazhit ishte e ngushtë dhe e pluhurosur. Asnjë nga autobusat urbanë nuk kishte dritare. Restorantet ishin të mjera dhe ushqimi në to edhe më i mjerë. Rryma ndalej dhe nuk vinte më. Kur zbrisje nga autobusi kosovar, ose do të shkoje të flije në banesën e atij që të ka thënë i pari ose të gjeje një arsye tepër të mirë për t’u shmangur nga aty. Fytyra të lodhura dhe të pashpresë ngado. Depresioni, dhuna, mjerimi e krimi ndiheshin në ajër. Mustafa Nano i di këto më mirë se ne kosovarët.

Çfarë është sot Durrësi? Një qytet ku ndjehesh i sigurt dhe rehat. Një qytet evropian ku ndërthuret aq bukur klasikja me modernen. Rrugë të bukura, dyqane me shkëlqim, librari moderne, shëtitore relaksuese, qendra madhështore tregtare, restorante dhe kafene të mrekullueshme, ky është Durrësi i sotëm. Njëjtë mund të themi edhe për Tiranën (e cila tani ka shkëlqimin e një metropoli), Shkodrën, Vlorën... tërë Shqipërinë. Shqipëria gjatë 4 vjetëve të fundit ka ndryshuar më shumë se në 70-80 vjetët e kaluara. Tani do të shtrojmë pyetjen për “vallëzuesin” Mustafa Nano: Pse nuk e mbushën shkëlqim Shqipërinë të tjerët, po Sali Berisha? Shqipëria aty ishte. Edhe qytetet depresive, të fjetura e të mjera, aty ishin. Pse nuk i ndreqën ata që ti i mbështet? Kjo është Shqipëria, rrugët e së cilës kanë qenë më të pasigurtat në kontinent. Sa për ilustrim: Kolona e automjeteve të emigrantëve kosovarë që po vinin në të parën vizitë pas plojës serbe, në shtator 1999, janë ndalur 25 herë në 200 kilometrat Durrës-Morin dhe në secilën ndalesë janë plaçkitur nga forcat policore të liderit të atëherëshëm shqiptar (me mbiemrin tënd). Shteti dhe pushteti ka qenë i dobët dhe i korruptuar jashtë çdo kriteri matës dhe anarkia ka sunduar në Shqipëri para vitit 2005. Para vitit 2005, ushtarët e Shqipërisë kanë qenë me xhinse dhe patika të leckosura, sot ata janë pjesë e aleancës më të fuqishme botërore. Policët e nanove e majkove gërryenin lëvore bostani derisa zhvatnin ndonjë euro në pikëkalime kufitare. Sot policët e Shqipërisë janë shembull i sjelljes në uniformë. Pyetja tjetër: Pse nuk kishin këto sjellje më parë?

Lista e ndryshimeve pozitive në Shqipëri, të ndodhura në 4-5 vjetët e fundit, do të ishte shumë e gjatë. Ti, Mustafa Nano, i sheh këto ndryshime më mirë dhe më afër se ne. Ti, bashkë me shqiptarët e tjerë, i shijoni ato ndryshime çdo ditë. Ndryshimet në çdo cep të Shqipërisë nuk mund të fshihen, ato janë të prekshme dhe përfshijnë çdo sferë të jetës së shqiptarit. Ti (një kolumnist që e quan kryeministrin brigant dhe psikopat nuk meriton adresimin me ju) e sheh Shqipërinë që po zgjohet nga gracka tragjike ku ishte futur me hir e pahir dhe e di mirë se roli i Sali Berishës në këtë zgjim është jashtëzakonisht i madh, është esencial. Teoria idioteske se populli e ndryshon gjendjen tashmë është lënë në harrim. Është e vërtetë se populli e jep liderin apo konjukturat udhëheqëse, por një prijës do të thotë jashtëzakonisht shumë drejt ndryshimit të jetës së tërë një populli. Se fytyrat ëngjëllore të të rinjve në Tiranë aty ishin edhe më parë, po vetëm tani rrezatojnë energji, vullnet, dashuri e perspektivë për një popull që ishte harruar në mjerimin vulgar ideologjik, që vazhdon në shumë koka edhe sot.

Zotëri Nano, sikur të gjithë vdekatarët, Sali Berisha mund të ketë të meta, vese e probleme. Po ti e di mirë se përveç vlerave tjera të pakontestueshme, sikur patriotizmi, ndershmëria dhe pastërtia morale, Berisha po na bind se ka edhe shumë më shumë. Ai na ka bindur se ka vizion për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai (me shqiptarët që mendojnë si ai, jo me ty dhe me ata që mendojnë si ti) po e ndryshojnë për mirë Shqipërinë. Nëse mendon se Shqipëria e sotme është më e keqe se Shqipëria e djeshme dhe e pardjeshme, ti nuk duhet as të shkruash apo të flasësh për Shqipërinë dhe shqiptarët. Largohu nga inatet primitive individuale dhe dil e shihe Shqipërinë evropiane që po lind. Shqipërinë e gjerë që kurrsesi nuk po pajtohet me vizionin e ngushtë dhe tepër ballkanik që ti po mundohesh t’ua servosh shqiptarëve. Apo krejt këto janë pse ti ke marrë rolin e zotëri Shkozës në romanin “Para agimit” – përpjekje dëshpëruese që mendimi yt mos të përputhet me asnjë mendim tjetër. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›