Vrasja e kunatit, gjykata: Krimi u krye me paramendim
KURBIN - Burg pa afat për Alfred Sefgjinin. Është kjo masa e sigurisë që është dhënë nga ana e gjykatës së shkallës së parë të Kurbinit për autorin e vrasjes së 40-vjeçarit Alfred Gjeçi, në lokalin e viktimës tre ditë më parë. Policia dhe prokuroria e Kurbinit ka dërguar në gjykatë dosjen ndaj tij, me akuzën e “vrasjes me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje” për Sefgjinin, i cili u vetëdorëzua pak kohë pas krimit. Ai ekzekutoi burrin e kushërirës, pasi e akuzonte atë për dhunën e vazhdueshme ndaj saj, derisa u detyruar që të largohej fare nga shtëpia. Sipas burimeve pranë Gjykatës së Kurbinit, kanë qenë fëmijët e viktimës, që të tre kanë qenë prezent në momentin e krimit, të cilët edhe kanë dëshmuar para gjykatës në prezencë të psikologëve, duke treguar me detaje krimin. Sipas fëmijëve të viktimës Alfred Sefgjini, daja i tyre e ka qëlluar mbi viktimën, pa dialoguar me të. Ndërkohë që i pandehuri ka mohuar një gjë të tillë, duke u shprehur se ai kishte debatuar ashpër dhe ka qenë nën presionin e viktimës në momentin që ka kryer krimin. Sipas burimeve zyrtare, dëshmia e fëmijëve ka qenë tepër prekëse, pasi gjatë deklarimeve të tyre ata nuk janë përmbajtur duke derdhur edhe lot ndërsa jepnin detajet e krimit që i mori jetën babait të tyre. Pikërisht dëshmia e fëmijëve ka bindur gjykatën se Alfred Sefgjini e ka kryer vrasjen me paramendim. Një tjetër fakt që provon krimin me paramendim ka dalë dje, sipas të cilit, autori është konfliktuar ashpër me burrin e kushërirës dy ditë para krimit. Ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal në Shkopet të komunës Milot të Kurbinit. r.n