E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedikti XVI: Evropa moderne lindi nga harmonizmi i kërkimit të Zotit me kulturën e punës

Dje u kremtua festa liturgjike e Shën Bernardit të Kjaravales, abat e dijetar i Kishës, Atë i Çisterçensëve. Për këtë Shenjt të madh, Benedikti XVI ka folur disa herë, duke nënvizuar posaçërisht drejtpeshimin ndërmjet veprimtarisë e lutjes, punës e kërkimit të Zotit.

Shën Bernardi, që jetoi ndërmjet shekullit XI e XII, është një nga protagonistët e përvojës së monakizmit perëndimor, që shpëtoi kulturën e lashtë, duke krijuar mundësitë e lindjes së një kulture të re. Pa kulturën e punës të murgjërve mesjetarë - pohon Papa - as që mund të bëhej fjalë për zhvillimin e Evropës. Bernardi lindi në Dizhon të Francës, në vitin 1091. 25 vjeçar ishte abat i manastirit të Kjaravales. I qortonte murgjërit, që jetonin në mes të të mirave, ndërsa të varfërit vdisnin nga uria. Por i pranonte përvujtërisht edhe kufizimet e veta, duke bërë çmos ta sundonte temperamentin e tij të rrëmbyer. Për të – kujton Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 20 gushtit 2006 – forca më e madhe e jetës shpirtërore është dashuria: “Hyji, që është dashuri, e krijon njeriun për dashuri e për dashuri edhe e shpëton; të gjitha qeniet njerëzore, të plagosura për vdekje nga mëkati i rrjedhshëm e të rënduara nga mëkatet personale, mund të shëlbohen duke e lëshuar plotësisht vetveten në duart e dashurisë hyjnore, që na u dëftua plotësisht në Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur. Me dashurinë e tij Hyji shëron vullnetin e mendjen tonë të sëmurë, duke i lartuar në shkallën më të lartë të bashkimit me Të, domethënë në shenjtëri e në bashkim mistik”. Shën Bernardi dëshiron të jetojë i zhytur në luginën e ndritur të kundrimit, por detyrohet t’i kushtohet një veprimtarie të dendur, të palodhshme, të gjithanëshme: themelon 68 manastire të cilat, përveçse qendra fetare, bëhen edhe shkolla të kulturës, të bujqësisë e të punës së dorës. Shtegton në mbarë Evropën në shërbim të Papës për të çuar paqen ndërmjet kombeve. Por gjithë kjo veprimtari e ethshme, nis nga heshtja e thellë e lutjes, sepse për të gjëja më e rëndësishme është të kërkojë Zotin:

“Duhet të ruhemi, vëren Shenjti, nga rreziqet e një veprimtarie të tepruar, pavarësisht nga puna a detyra që na është ngarkuar, sepse – kështu i pati thënë papës së asaj kohe, mbarë papëve e të gjithë neve – detyrat e shumta shpesh herë ta bëjnë gur zemrën, ta trondisin shpirtin, ta ligështojnë mendjen, ta humbasin hirin”… Sa e nevojshme është edhe për ne kjo porosi, që na kujton se vendin e parë e zë gjithmonë lutja!” (Engjëlli i Tënzot i 20 gushtit 2006). Shën Bernardi kërkon Zotin, duke ecur në gjurmët e Marisë, të cilën e krahason me yllin, që u ndihmon lundërtarëve të gjejnë udhën e humbur. Papa kujton lutjen e njohur të Shenjtit të Kjaravales: “Në dallgët e ngjarjeve të kësaj bote, të duket se nuk ecën mbi tokë, por mbi kreshta valësh, që çohen mal nga stuhitë; mos i shkëput, prandaj, për asnjë çast sytë nga vezullimi i këtij ylli, në se nuk dëshiron të gëlltitesh nga dallgët… Shikoje Yllin, lutju Marisë. Duke ecur në gjurmët e saj, nuk e gabon kurrë rrugën. Në se Ajo të mbron, nuk ke më frikë; në se të prin, nuk ndjen më lodhje, në se Ajo të përkrah, arrin cakun” (Hom.super Missus est, II, 17); (Engjëlli i Tënzot i 20 gushtit 2006).

Duke folur për Shën Bernardin e Kiaravales në audiencën e përgjithshme të 20 gushtit 2008, Benedikti XVI kujtoi se Papa Piu VIII e pati quajtur “doktori gojëmjaltë”, sepse ishte tepër i aftë të komentonte tekstet biblike, duke shpjeguar kuptimin që fshihej ndër to. Ky mistik i madh – shtoi Ati i Shenjtë - që dëshironte mbi gjithçka kundrimin e Hyjit, u detyrua të shtegtonte nëpër Evropë për t’i shërbyer Kishës në nevojat e kohës e për të mbrojtur fenë e krishterë. U quajt edhe ‘Doktor marian’, jo sepse shkroi shumë për Zojën e Bekuar, por sepse diti ta vlerësojë rolin e saj themelor në Kishë, duke e paraqitur si model i përkryer i jetës murgare e të çdo forme tjetër të jetës së krishterë”.

Cili qe Shën Bernardi i Kjaravales/Shën Bernardi i Kjaravales lindi në Dizhon të Francës më 1090 e vdiq në Kjaravalle, më 20 gusht 1153. Njëzetedy vjeç u bë murg, duke tërhequr pas vetes edhe tridhjetë të rinj të tjerë nga fisi i tij. U mbyll në manastirin e Sitosë, themeluar nga Robert Molemë. Njëzet e pesë vjeç e nisën të themelojë një manastir tjetër në Klervò, fushë e pabanuar, që do të bëhej Clara Vallis e tij dhe e murgjërve të tij. Pas Robertit, Alberikut e Shtjefinit, Bernardi, qe atë i Urdhërit Çisteçens. E çisterçensëve të tij u kërkoi më pak salltanet, më pak funksione, më pak lexim e shumë më tepër, punë. Përhapi në Evropën e paditur mitet e lëvrimit, apostujt me shat, që vunë në rregull tokën dhe ujin e bashkë me ta, edhe kafshët, duke e shndërruar, me djersë e me lutje, historinë e Kontinentit. Në vitin 1145 u ul në fronin e Shën Pjetrit nxënësi i tij, Bernardo dei Paganeli (Eugjeni III) e ai i dërgoi një traktat, që vlente për çdo papë, e posaçërisht për nxënësin e tij, të cilin e fton të mos gënjehet nga njerëzit, të cilët i silleshin rrotull: “A mund të më tregosh të paktën një, që e përshëndeti zgjedhjen tënde pa marrë para, ose pa shpresë se do t’i marrë? E, kujdes, pikërisht ata që mundohen të të bindin se janë shërbëtorë besnikë, s’dëshirojnë gjë tjetër, veçse të përfitojnë nga ti. Ruaju prej tyre!”. Vitet e fundit Shenjti kaloi çaste të hidhura: vështirësi në urdhër, përhapje herezish e vuajtje fizike. Vdiq nga tumori në stomak. U varros në Kishën e manastirit, por gjatë revolucionit eshtrat e tij u flakën nga varri; shpëtoi vetëm koka, që ruhet në katedralen e Troasë. Aleksandri III e shpalli shenjt në vitin 1174; Piu VIII, më 1830, i dha titullin ‘Doktor i Kishës”.

Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›