Sejdiu, Thaçi: Për Kosovën vendosin institucionet e saj
Takimi urgjent mes kreut të EULEX-it, Yves de Kermabo dhe Presidentit Fatmir Sejdiu e Kryeministrit Hashim Thaçi nuk ka përfunduar me marrëveshjen që priste drejtuesi i misionit evropian në Kosovë. Përkundrazi duket se palët kanë mbetur në nivelin e mëparshëm të vlerësimit. Presidenti dhe kryeministri i Kosovës deklaruan pas takimit se, “vetëm institucionet e Kosovës mund të nënshkruajnë marrëveshje që kanë të bëjnë me Kosovën”. Ndërsa De Kermabo, duke mos precizuar nëse do të nënshkruhet apo jo ky protokoll, tha se “EULEX-i nuk nënshkruan asgjë në emër të Kosovës”. Mosmarrëveshja mes EULEX–it dhe Prishtinës ka lindur për shkak të një protokolli mes misionit evropian në Kosovë dhe Serbisë për situatën e sigurisë, në bisedimet për të cilin autoritetet e Kosovës as nuk ishin përfshirë dhe as nuk ishin njoftuar mbi të. Prishtina zyrtare është irrituar nga qëndrimi i përfaqësuesve të EULEX-it dhe refuzuan fort nënshkrimin e këtij protokolli. Kjo u bë shkak që kreu i EULEX-it të kërkonte një takim urgjent. Udhëheqësit e Kosovës i thanë shefit të EULEX-it se ata angazhohen për bashkëpunim të ngushtë me praninë ndërkombëtare në Kosovë, dhe për bashkëpunim me shtetet fqinje, por thanë se për Kosovën vendosin institucionet e saj. “Qëndrimi ynë është i qartë. Do të vazhdojmë bashkëpunimin e thellë në të gjitha proceset, por gjithmonë duke qenë të zotuar për zbatimin e asaj që Kosova është shtet sovran, i pavarur dhe duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjet e saj”, tha Presidenti Sejdiu. Në të njëjtën gjuhë është shprehur edhe Kryeministri Thaçi. Ai theksoi bashkëpunimin shumë të mirë që ka Kosova me vendet e tjera të rajonit, por tha se për këtë mungon vullneti i Beogradit. “Në asnjë rrethanë Beogradit nuk do t’i jepet hapësirë e as autoritet në territorin e Republikës së Kosovës përmes asnjë mekanizmi, qoftë ai vendor apo ndërkombëtar. Vendimet për Prishtinën i marrin institucionet e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Thaçi. Shefi i EULEX-it pranoi se ka dallime për sa i përket protokollit të bashkëpunimit me policinë e Serbisë, por ai tha se të gjithë pajtohen se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, por shtoi se nuk do të anashkalon institucionet e Kosovës. “EULEX-i nuk mund dhe nuk do të nënshkruaj asnjë lloj protokolli në emër të Kosovës. Por po shikojmë për bashkëpunim operacional, i cili konkretisht është i ndryshëm nga gjashtë pikëshi”, tha Kermabon.
Sejdiu dekretoi katër ambasadorë të rinj
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka dekretuar dje katër ambasadorë të rinj të Kosovës, pas marrjes së pëlqimit nga vendet përkatëse. Avni Spahiu u dekretua ambasador në Shtetet e Bashkuara, Bekim Sejdiu ambasador në Turqi, Gazmend Pula ambasador në Shqipëri dhe Anton Berisha ambasador i Kosovës në Slloveni.